Të paktën 56 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë ceremonisë së varrimit të gjeneralit Qasem Soleimani në Kerman të Iranit për shkak te shtyrjes se turmave. Pamjet e publikuara nga mediat Iraniane tregojnë trupa të pajetë në rrugë dhe persona të plagosur që bërtasin.
Gjatë ceremonisë së varrimit të gjeneralit iranian të vrarë nga një sulm ajror amerikan javën e kaluar, të paktën 56 persona mbetën të vrarë dhe 48 u plagosën pasi njerëzit kanë shkelur njëri tjetrin. Bilanci është raportuar nga televizioni shtetëror Iranian.
Sipas televizionit Iranian, në fillimi të ceremonisë në Kerman, qyteti i lindjes i Qasem Soleimanit, ku dhe u varros gjenerali i rojeve revolucionare, disa njerëz papritur vendosën të largoheshin me shpejtësi. Filmimet e para të publikuara në rrjetet sociale tregojnë trupa të pajetë në rrugë, të tjerë që bërtasin nga dhimbjet dhe disa që përpiqen t’i ndihmojnë.
Mes numrit të madh të njerëzve ka pasur dhe flamuj të kuq nga ata që kërkojnë hakmarrje për sulmin. Ishin të shumta parullat kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Donald Trump por dhe kundër Britanisë së Madhe dhe Izraelit.
Ceremonia e varrimit i dha fund tri ditëve të zisë për gjeneralin, të shpallura nga lideri supreme Ali Kamenei. Ky i fundit, sipas burimeve iraniane për New York Times, ka dhënë udhëzime se duhet të jenë forcat iraniane ato që duhet të godasin.
Këtë deklaratë Khamenei e ka bërë gjatë mbledhjes së këshillit kombëtar Iranian të sigurisë, pak pas sulmit ajror amerikan në Bagdad kundër Soleimanit. Sipas tij reagimi Iranian për vrasjen e gjeneralit duhet të jetë i fuqishëm dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj interesave amerikane.
Irani deri tani ka paralajmëruar 13 skenarë për reagimin ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deklarata u bë nga lideri i këshillit Iranian për sigurinë kombëtare. Sipas tij dhe skenari më i dobët do të ishte një makth për amerikanët. Ai u betua se hakmarrja nuk do të ketë vetëm një sulm./abcnews.al