Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Mijëra shqiptarë në Hagë për Thaçin/ Organizimi pak orë përpara vendimit të Gjykatës Speciale për ish krerët e UÇK

schedule23:14 - 15 Shtator, 2026

schedule 23:14 - 15 Shtator, 2026

Qindra shqiptarë janë mbledhur pranë Gjykatës Speciale në Hagë, në pritje të shpalljes së vendimit për 4 ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Të ardhur nga Kosova dhe vende të ndryshme të Europës, ata kanë udhëtuar drejt Hagës për të qenë të pranishëm në ditën e vendimit, duke mbajtur flamuj të UÇK-së dhe duke shprehur mbështetje për 4 ish-drejtuesit e saj

Në zonën përreth Gjykatës Speciale është shtuar edhe prania e forcave të policisë, ndërsa grumbullimi i mbështetësve pritet të vijojë edhe gjatë orëve të mëngjesit.

Artan Berhami, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, e cilësoi praninë e diasporës si një dëshmi të mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së

“Mbështetja e diasporës shqiptare që kanë ardhur nga të gjithë bota është një mbështetje e madhe. Nesër besojmë që trupi gjykues do të korrigjojë gjithë këtë…”

Edhe Murgim Lushtaku, përfaqësues i PDK-së, tha se diaspora ka qenë gjithmonë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa procesin në Hagë e cilësoi si një gjykim që prek historinë e Kosovës.

“Diaspora gjithmonë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Në Hagë po gjykohet lufta e ish-UÇK-së, po gjykohet historia jonë. Gjithë bota e di që çlirimtarët kanë shpëtuar jetën e fëmijëve, grave dhe gjithë qytetarëve në Kosovë. Jemi shpresëplotë që çlirimtarët tanë do të kthehen në familjet e tyre.”

Ndërkohë, Ismail Tasholli, organizator i grupimit të mbështetësve në Hagë, tha se grumbullimi do të nisë që në orët e para të mëngjesit

“Ka njerëz plot që do ta bëjmë orën e numërimit mbrapsht. Në mëngjes nis grumbullimi. Lejen formale deri në orën 15:00 e kemi në sheshin në Hagë. Do festojmë në Prishtinë.”

Mes të pranishmëve janë edhe familjarë të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa disa prej mbështetësve të ardhur nga Kosova janë paraqitur të veshur me uniforma të UÇK-së

“Ne kemi ardhur për përkrahjen e ish-krerëve të UÇK-së. Ata s’kanë bërë krime. Ata duhet të lirohen.”

Murat Xhafa, një prej organizatorëve të diasporës shqiptare në Hagë, tha se mbështetësit presin me emocion shpalljen e vendimit dhe besojnë në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së

“Emocion për ne se çlirimtarët janë të pafajshëm. Pjesa tjetër mbërrin edhe në mëngjes.”

Pas një procesi të gjatë gjyqësor, Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë vendimin e shkallës së pare për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Verdikti pritet të ndiqet me interes të lartë në Kosovë, ndërsa mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë në Hagë deri në momentin e shpalljes së vendimit

Aktgjykimi per ish-krerët e UÇK-së pritet të shpallet më 16 shtator, në orën 10:00, në Gjykatën Speciale në Hagë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!