Mijëra shqiptarë janë mbledhur në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa vendimi gjyqësor ndaj tyre nesër konsiderohet vendimtar për të ardhmen e Kosovës.
Deputeti i PDK-së, Artan Berhami, deklaroi se një vendim negativ do të shembte themelet e shtetit dhe i bëri thirrje gjykatës të bazohet te faktet e gjenocidit serb.
Deputeti i PDK-së, Artan Berhami: Ne nuk mundet dhe nuk na shkon mendja në një verdikt negativ, sepse kjo do të shembte themelet e Kosovës. Duhet të mbrojmë trashëgiminë e tyre. Nuk duhet të krijohet një precedent, kur sot dënohet Hashim Thaçi dhe nesër dënohet Zelensky. Sot nuk behët fjalë vetëm për krerët e UÇK, por për gjithë fatin e Kosovës. Qytetarët e Kosovës nuk i besojnë kësaj gjykate, prandaj nesër kjo gjykatë e ka nesër mundësinë, që ta kthejë ditën e nesërme si ditë të drejtësisë. Nesër gjykata të bazohet në dokumente, dëshmitarë dhe prova, që Serbia ka bërë gjenocid në shtetin e Kosovës.
Nga ana tjetër, politikani Mërgim Lushtaku shprehu bindjen se drejtësia do t’i kthejë dinjitetin vendit dhe të gjithë rajonit. Sipas tyre, ky vendim nuk prek vetëm të akuzuarit, por përcakton të ardhmen euroatlantike të të gjithë Kosovës.
Mërgim Lushtaku: Besoj se do t’i kthehet dinjiteti vendit, Ballkanit dhe Kosovës, që aspirojnë në BE dhe në NATO. Nesër kemi për të pasur gëzimi. Nuk do të festojë vetëm Kosova.

