Kanadaja po përshpejton përpjekjet për të forcuar lidhjet ekonomike dhe strategjike me Evropën, ndërsa marrëdhëniet me SHBA-në po përballen me tensionet më të mëdha tregtare në dekada.
Kryeministri kanadez Mark Carney ka zhvilluar bisedime me liderë evropianë, përfshirë ata të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, për të afruar Kanadanë me Bashkimin Evropian, pa kërkuar anëtarësim të plotë në BE.
Sipas raportimeve, autoritetet kanadeze po shqyrtojnë mundësinë e një forme “anëtarësimi të asociuar”, që do t’i jepte Kanadasë qasje më të madhe në tregun e përbashkët evropian, me vlerë rreth 21 trilionë dollarë.
Bashkëpunimi do të fokusohej veçanërisht në energji, Al, minerale kritike dhe mbrojtje.
Qeveria e Carneyt po kërkon gjithashtu marrëveshje për lëvizjen më të lehtë të punëtorëve, shkëmbime universitare dhe kërkimore, si dhe bashkëpunim në qendrat e të dhënave, kabllot nënujore, infrastrukturën cloud dhe rrjetet satelitore.
Kanadaja dëshiron të forcojë edhe lidhjet energjetike me Evropën, duke krijuar mundësi që gazi natyror kanadez të arrijë tregjet evropiane dhe të reduktohet varësia nga energjia ruse.
Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve të Otavës për të ulur varësinë e madhe ekonomike nga SHBA-ja.
Rreth dy të tretat e eksporteve kanadeze shkojnë drejt tregut amerikan.
Carney shpreson se lidhjet më të forta me Evropën do t’i japin Kanadasë më shumë hapësirë përballë presionit nga Uashingtoni dhe do të ndryshojnë orientimin tradicional ekonomik të vendit.
Megjithatë, vendet evropiane po e shqyrtojnë me kujdes këtë propozim, pasi disa prej tyre druhen se një afrim i madh mes Kanadasë dhe BE-së mund të përkeqësojë më tej marrëdhëniet me SHBA-në.

