TIRANË- Në një tjetër akt të luftës politike të gjykatave me qeverinë, Gjykata Administrative ka urdhëruar Ministrinë e Financave dhe thesarin e shtetit t’i kalojë Gjykatës së Posaçme pagat e reja, që ajo i ka caktuar vetes, pa pyetur Kuvendin.
Ministria e Financave thotë se do të presë miratimin e ligjit nga Kuvendi.
Por vendimi i Gjykatës Administrative është faktikisht pa vlerë, pasi hyn në fuqi pas datës 17 shtator kur do të jetë Kuvendi që do të përcaktojë rrogat e reja të drejtësisë.
Eksperti i sigurisë, Faik Basha, i ftuar në “Tirana Live”, u shpreh se veprimet e gjykatave janë të shëmtuara. Ai theksoi se pagat e tyre janë nga më të larta në Shqipëri.
“Kjo është shfaqje e shëmtuar, sepse shqiptarët nuk mundet dhe nuk duhet të dëgjojnë se si vepron elita e tyre. Është një pagë, e cila është nga më të larta në Shqipëri, por të mos thënë më të lartat.
Pagat është shumë herë më e lartë se sa numri një që është Presidentit i Republikës. Emergjenca të tilla dhe sjellje të tilla i konsideroj të tepërta. Sipas përllogaritjes, bëhet fjalë për një shtim të buxhetit për 40 milionë euro”, tha ai.
Gjatë diskutimit në studio, eksperti pohoi se pagat e magjistratëve janë të garantuara dhe nuk ka vend për sjellje të tilla.
Ai theksoi se tashmë Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar vijën kushtetuese se si duhet të veprojë institucionet përgjegjëse, në adresimin dhe zgjidhjen e situatës.
“Nuk ka asnjë lloj rreziku që paratë apo shtesat e tyre të mos jepen, sepse Gjykata Kushtetuese e ka vendosur dhe Parlamenti e ka filluar punën që me 30 korrik për të bërë. Opozita është për të ardhur keq, sepse e hiperbolizon çdo lloj situate që ndodh”, pohoi ai.
Ai kritikoi ashpër opozitën, e cila i ka dalë në mbështetje të akteve të gjyqtarëve. Kjo gjë sipas tij, nuk u jep atyre asnjë pikë politike.
“Kjo është një kacavjerrje në një degë, që nuk të jepe asgjë për misionin që ka opozita. Opozita po lufton me mullinjtë e erës.
Opozita krijon disa situata, që kanë efekt të fortë për momentin, por në efekte afatgjata janë boshe dhe flluska sapunin dhe nuk prodhojnë asgjë. Nuk e ndihmojë atë për t’u ngritur dhe nuk bëjnë një alternativë qeverisës”, tha ai.

