Eksperti Faik Basha ka komentuar raportimet e fundit lidhur me pretendimin se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ishte paralajmëruar 10 ditë përpara sulmit të 7 tetorit 2023.
Sipas raportimeve të publikuara sot, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed, e kishte paralajmëruar Netanyahun për një operacion të madh të Hamasit. Zyra e kryeministrit izraelit i ka mohuar këto pretendime, duke i cilësuar si “gënjeshtër absolute”.
Duke folur për këtë çështje, Basha tha se nëse vërtetohet se Netanyahu kishte dijeni për informacionin përpara sulmit, kjo do të ketë pasoja politike.
Sipas Bashës, informacionet e tilla mund të jenë ruajtur për t’u përdorur në një moment politik, ndërsa ai e konsideron të vonuar trajtimin e tyre.
Eksperti theksoi se informacionet e publikuara nuk duhen konsideruar thjesht si një përpjekje për të çorientuar opinionin publik.
“ Të thuash që Netanyahu ka pasur info 10 ditë para këtij sulmi dhe mijëra jetë njerëzish kanë humbur, do të marrë një përgjigje. Këto informacione janë ruajtur për t’u përdorur politikisht, por është e vonuar. Politika është më e gjerë dhe ka instrumenta që i mban në sipërfaqe.
Informacioni i dalë nuk është vetëm një tymnajë për të çorientuar opinionin, por ka fakte të vërteta.”

