Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Situata me zjarret në 24 orë, 39 vatra në vend/ Ministria e Mbrojtjes: Forcat ushtarake dhe helikopterë në terren

schedule10:24 - 5 Shtator, 2026

schedule 10:24 - 5 Shtator, 2026

39 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë territorin e vendit gjatë 24 orëve të fundit, nga të cilat 11 mbeten aktive, 3 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 25 janë shuar plotësisht.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se për menaxhimin e situatës janë angazhuar 881 forca operacionale dhe 75 automjete zjarrfikëse.

Në operacione janë përfshirë gjithashtu 340 forca ushtarake, 4 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, helikopterët e Forcës Ajrore, të cilët kanë kryer 6 operacione, si dhe një avion Air Tractor.

Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 380 forcave ushtarake, 2 helikopterëve dhe një avioni Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive janë evidentuar në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë.

Në Dajt vijon puna për shuarjen e zjarrit, pa rrezik për zonat e banuara, ndërsa në Qinam të Zall-Herrit është shmangur rreziku për banesat.

Në Dibër mbeten aktive vatrat në Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis, por pa rrezik për zonat e banuara.

Në Lezhë, aktive janë vatrat në Gallatë dhe Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku gjithashtu është shmangur rreziku për banesat.
Situata më problematike gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar në Fier dhe Himarë.

Në zonën Drizë–Vadhizë–Peshtan–Levan, pas ndërhyrjes së forcave tokësore dhe ajrore, rreziku për banesat është shmangur, ndërsa operacioni vijon për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.

Në lagjen “1 Maji” në Himarë janë angazhuar rreth 300 forca operacionale dhe 171 efektivë të Forcave të Armatosura. Si pasojë e zjarrit janë evakuuar 36 persona dhe janë djegur 6 banesa, 3 prej të cilave kanë qenë të banuara.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, intensiteti i zjarrit në Himarë ka rënë dhe rreziku për banesat është shmangur, ndërsa vijon puna për shuarjen e plotë të vatrës.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!