Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar sërish sot konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për zgjatjen e krizës institucionale.
Përmes një njoftimi, PDK deklaron se sot shënohet dita e 27-të e asaj që kjo parti e cilëson si “përmbysje të rendit kushtetues”.
“PDK kërkon konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit dhe përfundimin e krizës shtetërore të shkaktuar nga Albin Kurti”, thuhet në deklaratën e partisë.
Partia opozitare u ka bërë thirrje deputetëve dhe të gjithë atyre që, sipas saj, mbështesin demokracinë, respektimin e rendit kushtetues dhe funksionimin normal të institucioneve, që të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit. Seanca është paralajmëruar për sot në orën 11:00.
“E kush është për demokraci, rend kushtetues dhe funksionim normal të shtetit, i presim sot në sallën e Kuvendit, në orën 11:00. PDK do të jetë aty!”, deklaron PDK.
Ngërçi politik në Kosovë vijon prej javësh, ndërsa partitë parlamentare ende nuk kanë arritur të përmbyllin procesin e konstituimit të institucioneve të reja.

