Avokati Edmond Petraj ka komentuar ndryshimet e fundit në qeveri, duke u ndalur te largimi i Evis Salës nga drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë.
Petraj e cilësoi Evis Salën si një nga ministret më të dobëta, duke theksuar se kritikat e tij nuk lidhen me formimin akademik, por me mënyrën e komunikimit dhe përballjes me problematikat e sektorit.
Sipas tij, Rama ka një axhendë të qartë dhe pritet të vendosë në krye një menaxher të forte.
Avokati e cilësoi Ramën si një “kryeministër të surprizave”, duke lënë të hapur mundësinë për ndryshime të tjera në kabinet.
“Sala, si ministre, siç hyri, doli. Ka qenë ministrja më e dobët në qeverisje. Jo në formimin akademik, që është shembull, por për marrëdhëniet që shumë gazetarë, analistë, mjekë, pacientë, në shfaqjen e problemeve, ajo nuk i ka denjuar të shkojë njëherë në një studio e të përballet me gazetarë apo analistë.
Rama ka axhendën e vet, kërkon ritëm dhe të stabilizojë Ministrinë e Shëndetësisë. Do të ketë një menaxher të fortë, duhet të ketë profesionistë që të kenë dorë të lirë. Të takohet me mjekët, pagat kanë shkuar sa në Itali dhe vendet europiane. Për të kërkuar rrogë më të madhe, duhet të japësh cilësi. Rama do të vendosë një personazh menaxhues, për një ekip nga pas.
Rama është kryeministër i surprizave, mund të bëjë zëvendësime në kabinet, por duam, nuk duam ne, në raport me Perëndimin, kjo qeveri nuk është kontestuar asnjëherë. Ka defekte dhe gabime, por nuk i atribuohet çdo gjë. Në administratë duhet vendosur fokusi që të rritet standardi.”

