Studentët presin kthimin e çlirimtarëve.
Përfaqësuesit e parlamenteve studentore të universiteteve publike në Kosovë, kolegët e tyre nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me procesin gjyqësor në Hagë.
Në aktivitetin e mbajtur para Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, studentët kërkuan lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Ata përmes një deklarate të përbashkët drejtuar përfaqësuesve të BE-së, kanë kërkuar që vendimi për ish-krerët e UÇK-së të merret pa ndikime politike.
“Ne nuk do të heshtim dhe nuk do të lejojmë që lufta për lirinë e Kosovës të reduktohet në një narrativë kriminalizuese dhe historia jonë të rishkruhet. Ne jemi gjenerata që e ka trashëguar këtë liri dhe do ta mbrojmë me çdo kusht të vërtetën tone”, tha Endi Binaku.
Nga Maqedonia e Veriut, Mevlan Ademi tha se për katërshen duhet marrë një vendim i drejtë.
“Prandaj sot e shprehim qartë indinjatën tonë ndaj një procesi kaq të gjatë dhe kërkojmë lirimin e krerëve të UÇK-së. Me 16 shtator presim që shtetndërtuesit tanë të lirohen dhe të kthehen në Kosovë pranë familjeve dhe popullit të tyre”, tha ai.
Për krerët e UÇK pritet vendimi final në 16 shtator.

