Deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë vijuar edhe sot aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku këtë herë janë mbështetur edhe nga përfaqësues të institucioneve lokale dhe aktivistë politikë.
Të pranishmit janë mbledhur në orët e mëngjesit para objektit të Qeverisë, duke kërkuar nga mazhoranca që të marrë përgjegjësinë për funksionalizimin e institucioneve dhe vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Fadil Nura nënkryetar i Skenderajt tha se janë aty për të mbështetur deputetët që, sipas tij, po mbrojnë rendin kushtetues dhe demokracinë në vend.
“Sot do të dëshmojmë, në të njëjtën kohë të mbështesim fuqishëm deputetët që sot janë të pranishëm këtu dhe që janë vënë në mbrojtje të rendit kushtetues, në mbrojtje të demokracisë, e cila po vazhdon të cenohet, dhe ne vlerësojmë si autoritete lokale në këtë rast që jemi pjesë integrale e sistemit kushtetues, se institucionet e Kosovës janë të themeluara mbi sakrificën dhe gjakun e bijve më të mirë, dhe kemi obligim përtej bindjeve politike të mbrojmë institucionet tona, t’i ndërtojmë ato.”
Edhe kryetari i Degës së PDK-së në Istog, Ali Nimanaj, tha se kanë dalë për të mbështetur deputetët në kërkesat e tyre për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ligjeve të Kosovës.
“Jeta në Kosovë është rënduar në aspektin ekonomik, social dhe pothuajse jeta është e padurueshme me këtë gjendje politike të cilën ndodhet Republika e Kosovës.”
Kosova ka mbajtur zgjedhjet e fundit të parakohshme në 7 qershor, ndërsa kuvendi i dalë prej votimeve nuk është konstituar ende.

