Ishte një nga ato ndeshje klasike të futbollit. Një përballje kur një ekip dominon nga fillimi deri në fund, dhe fare mirë mund ta shkatërrojë rivalin, veçse në fund falenderon qiellin që ia del të fitojë.
Këtë bëri Interi në ishullin e Sardenjës, në javën e dytë të Serisë A, ndaj një Kaljari tepër inferior, por që pati fat e mund të merrte pikën. Suksesi erdhi falë një goli tepër të shpejtë nga veterani i mesfushës, Hakan Çalhanoglu.
Turku, që cilësohej si vëllai i madh i Kristian Asllanit, goditi që në 9’. Më pas, gjithçka ishte me një sens të vetëm, sulme zikaltër, gjuajtje pa fund, por asnjë gol më shumë.
Kampionët e Italisë provuan 28 goditje, nga të cilat në portë hynë vetëm 6. Kaljari pati vetëm një gjuajtje në kuadrat, por pati momente që u shkaktoi miqve panik.
Tifozët dhe trajneri Kristian Kivu janë të shqetësur për rastet e humbura, ndonëse tekniku rumun vlerësoi ekipin që diti të përballonte mirë momentet e vështira.
Titujt fitohen edhe me karakter, jo vetëm me cilësi dhe taktikë. Interi kryeson Serinë A me 6 pikë të plota në dy javë, po ashtu si Milani, Juventusi e Lacio.
Të shtunën e ardhshme pret Napolin në “San Siro”, e pastaj luhet në “Bernabeu” ndaj Realit në Champions, pra Kivu do të jetë përballë ish-mësuesit të tij Zhoze Murinjo.

