Islanda ka votuar kundër rihapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në referendumin e zhvilluar, 52.54 % e votuesve zgjodhën “Jo”, ndërsa 47.46 % votuan “Po”, me një diferencë prej rreth 5 pikësh.
Referendumi nuk vendoste drejtpërdrejt nëse Islanda do të bëhej pjesë e Bashkimit Evropian. Pyetja ishte nëse vendi duhej të rifillonte negociatat për anëtarësim me Brukselin. Në rast të një përgjigjeje pozitive, negociatat do të hapeshin dhe më pas islandezët do të kishin mundësi të votonin përsëri për marrëveshjen përfundimtare.
Rezultati përbën kështu një refuzim të vetë idesë për rikthimin në tryezën e negociatave, të cilat nisën në vitin 2009, pas krizës së rëndë financiare që goditi sistemin bankar islandez, dhe u pezulluan në vitin 2013. Kundërshtimi ishte veçanërisht i fortë në veriperëndim të vendit, një zonë e lidhur ngushtë me industrinë e peshkimit, ku 62.87 për qind e votuesve kundërshtuan rihapjen e negociatave.
Në anën tjetër, mbështetësit e negociatave argumentuan se Islanda duhet të paktën të dëgjojë propozimet e Bashkimit Evropian përpara se të marrë një vendim përfundimtar. Ata vunë në dukje edhe problemet ekonomike që lidhen me koronën islandeze, një monedhë e vogël dhe e ekspozuar ndaj luhatjeve të forta. Përkrahësit e anëtarësimit shpresojnë se adoptimi eventual i euros do të sillte më shumë stabilitet monetar.
Megjithatë, edhe pse refuzon rihapjen e negociatave, Islanda mbetet e lidhur ngushtë me Evropën. Vendi është pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane dhe e zonës Schengen, duke zbatuar tashmë një numër të madh rregullash evropiane, pa qenë anëtar i Bashkimit Evropian.
Për shumë islandezë, çështja kryesore mbetet sovraniteti. Kundërshtarët e anëtarësimit argumentojnë se një vend i vogël si Islanda duhet të ruajë kontrollin mbi burimet e tij natyrore, veçanërisht peshkimin, si dhe të drejtën për të përcaktuar vetë politikat e tij ekonomike dhe monetare./abcnews.al

