Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Trump: Marrëveshje “historike” për kontrollin e 65 miliardë fuçive naftë të Venezuelës

schedule08:00 - 29 Gusht, 2026

schedule 08:00 - 29 Gusht, 2026

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje me Venezuelën, përmes së cilës Shtetet e Bashkuara do të kontrollojnë më shumë se 65 miliardë fuçi rezerva të provuara nafte të vendit latino-amerikan.

“Ky transaksion historik më shumë se dyfishon rezervat amerikane të naftës, rrit ndjeshëm furnizimin tonë me naftë dhe do të ulë ndjeshëm çmimet e karburanteve për të gjithë amerikanët”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm që do të ndihmojë në rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Trump kishte premtuar shfrytëzimin e rezervave të Venezuelës, të cilat konsiderohen më të mëdhatë në botë, pasi SHBA-ja kapi këtë vit presidentin e atëhershëm venezuelian, Nicolás Maduro. Ndërkohë, administrata Trump është përballur me presion për të ulur çmimet e karburanteve në SHBA, të cilat u rritën ndjeshëm gjatë konfliktit me Iranin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi marrëveshjen e naftës si “një fitore të madhe për popullin amerikan dhe venezuelian”.

Sipas Rubio-s, marrëveshja pritet të sjellë rreth 100 miliardë dollarë investime private në Venezuelë, të mbështesë mijëra vende pune me paga të larta dhe të ndihmojë në rindërtimin e ekonomisë së vendit.

Trump tha se Rubio dhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e kishin arritur marrëveshjen me udhëheqjen venezueliane përmes një partneriteti me kompani private.

Presidenti amerikan nuk dha detaje të mëtejshme mbi partneritetin, kushtet e marrëveshjes apo angazhimet konkrete të SHBA-së, por theksoi se ajo ishte arritur “pa asnjë kosto për taksapaguesit amerikanë”.

Nga ana tjetër, Delcy Rodriguez deklaroi se marrëveshja do të ketë “një ndikim të rëndësishëm në rimëkëmbjen e vendit”.

Marrëveshja parashikon zhvillimin e 17 fushave strategjike të naftës, me një potencial të provuar prej 65 miliardë fuçish. Sipas Rodriguez, investimet do të tejkalojnë 100 miliardë dollarët, ndërsa shteti venezuelian pritet të përfitojë më shumë se 209 miliardë dollarë në taksa.

Ajo tha se investimet do të ndihmojnë në rimëkëmbjen dhe modernizimin e industrisë së naftës, rritjen ekonomike të Venezuelës, forcimin e sigurisë energjetike në hemisferën perëndimore dhe krijimin e një ekuilibri më të madh në tregjet ndërkombëtare.

Sipas një zyrtari amerikan, qeveria e SHBA-së do të mbajë 55% të kontrollit të një sipërmarrjeje të përbashkët me një operator privat me përvojë në Venezuelë. Sipas të njëjtit burim, Rodriguez i ka dhënë kësaj sipërmarrjeje një koncesion 100-vjeçar për operimin në fushat naftëmbajtëse.

Trump nuk dha shumë detaje për marrëveshjen, e cila konsiderohet e pazakontë pasi, sipas të dhënave të bëra publike deri tani, duket se i jep SHBA-së një rol të drejtpërdrejtë në administrimin e burimeve natyrore sovrane të një shteti tjetër.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!