Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka urdhëruar forcat e armatosura të Ukrainës të rrisin ndjeshëm sulmet me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave në Rusi.
Në një fjalim të martën pasdite, Zelensky tha se objektivi është që numri i sulmeve të tilla të rritet në rreth 1,000 në ditë, nga afërsisht 300 që kryhen aktualisht.
“Duhet të ketë më shumë: ekziston një qëllim specifik dhe ne do ta përmbushim këtë detyrë”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ndërkohë, sulmet me dronë ndaj infrastrukturës energjetike ruse duket se kanë ndikuar drejtpërdrejt në prodhimin e karburanteve. Sipas dy burimeve të industrisë, të cituara nga Reuters, prodhimi i benzinës në Rusi kishte rënë në fund të gushtit në rreth 70% të nivelit të kërkesës së brendshme.
Një seri sulmesh ukrainase me dronë ka detyruar disa prej rafinerive kryesore ruse të ndërpresin ose të pezullojnë operacionet. Situata ka rikthyer mungesën e karburantit në disa rajone të vendit, pas një përmirësimi të përkohshëm në fund të korrikut, kur disa autoritete lokale nisën të lehtësonin kufizimet për shitjen e karburantit.
Burimet thanë se prodhimi i benzinës në fund të gushtit kishte rënë në nivele të ngjashme me ato të fillimit të korrikut.
Javën e kaluar, pas sulmeve me dronë ukrainasë, disa rafineri të mëdha ruse, të rëndësishme për furnizimin me benzinë, ndaluan punën. Mes tyre raportohet se ishin impiante në Perm, Nizhny Novgorod dhe Yaroslavl.
Ukraina ka intensifikuar goditjet ndaj sektorit energjetik rus si pjesë e përpjekjeve për të dëmtuar kapacitetet e Moskës për prodhimin dhe eksportin e naftës, duke synuar kështu të reduktojë të ardhurat që financojnë luftën.

