Zjarri që përfshiu mesditën e sotme fshatin Vranisht të Bashkisë Himarë është vënë nën kontroll, pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse nga toka dhe ajri.
Megjithatë, situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme për shkak të erës së fortë që pritet gjatë orëve të natës, e cila mund të favorizojë riaktivizimin ose përhapjen e flakëve.
Në terren kanë qenë forcat zjarrfikëse, ekipet e Forcave të Armatosura, Shtabi i Emergjencave Civile, si dhe forca të ardhura në ndihmë nga Vlora. Ekipet vijojnë të qëndrojnë në zonë për të shmangur çdo rrezik të ri.
Ndërkohë, zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në territorin e fshatit. Flakët kanë përfshirë disa hektarë me ullinj dhe pemë të ndryshme, ndërsa janë dëmtuar edhe disa banesa të pabanuara.
Një shtëpi është rrethuar nga flakët, ndërsa një tjetër dëm i rëndësishëm raportohet në bletari, ku janë djegur rreth 100 koshere me bletë.
Forcat zjarrfikëse dhe policia ndodhen ende në terren për evidentimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga zjarri, ndërsa gjatë natës do të vijojë monitorimi i zonës për të parandaluar riaktivizimin e vatrave.
/abcnews.al/

