Aksioni opozitar këtë të premte është zhvendosur përsëri nga hyrja e godinës së qeverisë në sallën e kuvendit në Kosovë. Kërkesën e tyre për ngritjen e institucioneve PDK dhe Aleanca e kanë artikuluar përballë përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane dhe zyrës së Bashkimit Europian.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka bërë thirrje që deputetët, pa dallim partie, të kthehen në Kuvend dhe ta përfundojnë procesin e konstituimit me kritika të forta ndaj Kurtit.
“Sot dua të flas për qytetarët që presin zhvillim të politikave për një shërbim më të mirë shëndetësor. Për prindërit që mezi e dalin muajin. Për të riun që kërkon një vend pune me meritokraci. Për bujkun, për punëtorin, për biznesmenin që lufton çdo ditë për ta mbajtur biznesin gjallë dhe me të drejtë pyesin: Çfarë po ndodh me vendin tonë? Dhe përgjigja është e thjeshtë dhe shumë e qartë. Kosova është marrë peng dhe kjo është për turp”, tha deputetja e PDK, Ganimete Musliu.
Ndërsa Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri deklaroi nga foltorja e Kuvendit se kjo situatë e ka futur Kosovën në një krizë të thellë shoqërore, ekonomike dhe politike.
“Tanimë kjo shumicë parlamentare e cila sot e sa ditë është duke bojkotuar dhe duke mos ushtruar detyrën e vet kushtetuese, me moskonstituimin e Kuvendit e ka sjellë Kosovën në një depresion të thellë shoqëror, ekonomik dhe politik.
Gjendja në vend është ka agravon dhe është ka vjen në një pikë kritike që ndërlidhet edhe me aspektin e sigurisë në shoqëri, edhe me aspektin e ekonomisë që krijon vende pune dhe që e mban gjallë shtetin, dhe mbi të gjitha, një krizë politike e cila nuk ka qenë e parë asnjëherë në historinë e demokracisë të vendit tonë. Kjo është e qëllimshme”, shtoi deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri.
VV nuk e thërret seancën konstituive me argumentin se po merr kohë për bisedime për presidentin, edhe pse afatet kushtetuese janë shkelur.

