Një liqen i ri i krijuar në kufirin mes Nepalit dhe Tibetit kinez ka ngritur shqetësime për një tjetër përmbytje në rajon, vetëm pak ditë pasi përmbytjet shkatërruese shkaktuan qindra viktima dhe të zhdukur, raportoi “Reuters”.
Liqeni është formuar pasi shembja e një akullnaje dërgoi sasi të mëdha akulli, shkëmbinjsh, balte dhe mbetjesh në sistemin lumor të Himalajeve.
Këto materiale kanë bllokuar rrjedhën e ujit dhe kanë krijuar një liqen të rrethuar nga një digë natyrore me mbetje.
Autoritetet kineze kanë paralajmëruar se situata paraqet rrezik të lartë që liqeni të çahet dhe të shkaktojë një valë të re përmbytjesh.
Sipas të dhënave të tyre, liqeni përmban rreth 2 milionë metra kub ujë, ndërsa gjatë tri ditëve në vijim pritet të hyjnë në të edhe rreth 3 milionë metra kub ujë.
Kjo sasi uji është e barabartë me rreth 1,200 pishina olimpike, ndërsa prurjet më të mëdha priten rreth 1 shtatorit.
Autoritetet kineze po monitorojnë vazhdimisht nivelin e ujit dhe po kryejnë simulime për të vlerësuar pasojat në rast të çarjes së digës natyrore. Rreziku i një përmbytjeje të dytë ka komplikuar edhe më tej operacionet e kërkim-shpëtimit në zonën kufitare.
Ekipet e shpëtimit në Nepal dhe Kinë janë detyruar përkohësisht të ndalojnë punën në disa zona, për shkak të frikës se një çarje e liqenit ose rrëshqitje të tjera dheu mund të rrezikojnë jetën e shpëtuesve.
Përmbytja e 26 gushtit shkaktoi dëme të mëdha në të dyja anët e kufirit.
Në Nepal, sipas të dhënave të publikuara sot nga zyra e kryeministrit, 469 persona janë konfirmuar të vdekur dhe 977 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Në Tibet janë raportuar gjithashtu viktima dhe qindra persona të zhdukur.
Autoritetet kanë frikë se një shpërthim i liqenit të ri mund të sjellë një tjetër valë uji, balte dhe mbetjesh në luginat tashmë të shkatërruara nga përmbytja e parë.

