Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Shembja e akullnajës dyshohet se shkaktoi përmbytjen vdekjeprurëse në kufirin Nepal-Tibet

schedule10:56 - 27 Gusht, 2026

schedule 10:56 - 27 Gusht, 2026

Të paktën 177 persona kanë humbur jetën nga përmbytja e menjëhershme. Shkencëtarët ngrenë alarmin për shkrirjen e shpejtë të akullnajave në Himalaje.

Një shembje akullnajeje dyshohet se ka qenë shkaku i përmbytjes së fuqishme që goditi zonën kufitare mes Nepalit dhe Tibetit, duke shkaktuar të paktën 177 viktima.

Raportimet e para sugjeronin se një tërmet kishte shkaktuar një rrëshqitje dheu, e cila më pas kishte sjellë përmbytjen. Por Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) sqaroi se bëhej fjalë për një “shembje akullnajeje”, pra shpërbërjen dhe rënien e një akullnajeje ose të një pjese të saj.

Fuqia e përplasjes së masës së akullit dhe shkëmbinjve me fundin e luginës ishte aq e madhe, sa ngjarja u regjistrua si një lëkundje me magnitudë 5.2.

Akulli dhe shkëmbinjtë u përplasën në lumë

Sipas Dr Simon Cook, ekspert i akullnajave në Universitetin e Dundee-t, ekipi i tij ka identifikuar shembjen e pjesës së poshtme të një akullnajeje pranë majës Langtang Lirung, rreth 15 kilometra në perëndim të zonës së prekur nga përmbytjet.

Sipas tij, masa e shembur ka lëvizur fillimisht drejt veriperëndimit dhe më pas në drejtim të perëndimit, duke ndjekur rrjedhën e lumit.

Ndërkohë, një analizë e Qendrës Ndërkombëtare për Zhvillimin e Integruar Malor (ICIMOD) sugjeron se mund të ketë ndodhur një ortek akulli dhe shkëmbinjsh nga një zonë me lartësi të madhe.

Masa të mëdha akulli dhe mbetjesh shkëmbore përfunduan në lumin Lende Khola, degë e Bhote Koshi-t. Kjo shkaktoi një rritje të menjëhershme të prurjeve, duke transportuar ujë, sedimente dhe gurë të mëdhenj në drejtim të zonave më të ulëta.

Niveli i ujit në lumenjtë në rrjedhën e poshtme u rrit me 7 deri në 9 metra brenda vetëm 30 minutash, ndërsa disa stacione monitorimi u dëmtuan ose u shkatërruan.

Shkencëtarët paralajmërojnë për ndryshimet klimatike

Shkaku i saktë i shembjes së akullnajës ende nuk është përcaktuar. Megjithatë, shkencëtarët kanë paralajmëruar prej vitesh se temperaturat në rritje dhe ndryshimet klimatike po përshpejtojnë shkrirjen e akullnajave dhe të permafrost-it në Himalaje.

Sipas një analize të ICIMOD, akullnajat në rajonin Hindu Kush-Himalaje po humbasin akull me një ritëm rreth dy herë më të lartë krahasuar me vitin 2000.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë mund të shtojë rrezikun e përmbytjeve, rrëshqitjeve të dheut, shembjeve të akullnajave dhe shpërthimeve të liqeneve akullnajore.

“Me ngrohjen e planetit, akullnajat po tkurren dhe shkrirja e borës po rritet. Edhe permafrost-i, i cili ndihmon në mbajtjen e qëndrueshme të disa shpateve malore, po ngrohet, po shkrihet dhe po degradohet”, shpjegon Dr Cook.

Sipas tij, kjo mund të sjellë më shumë rrëshqitje dheu, rrjedha mbetjesh, ujëra nga shkrirja e akullnajave, shpërthime të liqeneve akullnajore dhe shembje të akullnajave.

Ekspertët theksojnë se është e vështirë të përcaktohet nëse një ngjarje e vetme është shkaktuar drejtpërdrejt nga ndryshimet klimatike. Megjithatë, rritja e numrit të këtyre fenomeneve në zonat malore po shihet si një sinjal gjithnjë e më shqetësues i ndikimit të ngrohjes globale.

Ngjarje të ngjashme janë regjistruar vitet e fundit edhe në Indi, Zvicër dhe Itali. Në vitin 2021, shembja e një pjese të madhe të një akullnajeje në luginën Chamoli, në veri të Indisë, shkaktoi një valë masive uji dhe mbetjesh, duke vrarë rreth 200 njerëz.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!