Aktori britanik Tim Curry, i njohur në mbarë botën për rolin e Dr. Frank-N-Furter në filmin kult “The Rocky Horror Picture Show” dhe për interpretimin e Pennywise në miniserialin “It”, ka vdekur në moshën 80-vjeçare.
Curry ndërroi jetë, në shtëpinë e tij në Los Angeles, pas më shumë se një dekade me probleme serioze shëndetësore. Lajmi për vdekjen e tij u raportua fillimisht nga TMZ dhe më pas u konfirmua nga media të tjera.
Curry e nisi karrierën në skenë në fund të viteve ’60, ndërsa famën e madhe e fitoi me “The Rocky Horror Show”, rol të cilin e përsëriti edhe në versionin filmik të vitit 1975.
Filmi, që fillimisht nuk pati sukses të madh te kritikët, me kalimin e viteve u shndërrua në një fenomen kulturor dhe një prej filmave kult më të njohur.
Një tjetër rol që e bëri të paharrueshëm ishte ai i Pennywise në adaptimin televiziv të vitit 1990 të romanit “It” të Stephen King.
Curry u shfaq gjithashtu në filma si “Home Alone 2: Lost in New York”, “Annie”, “The Hunt for Red October”, “Muppet Treasure Island” dhe “Scary Movie 2”.
Në vitin 2012, aktori pësoi një goditje të rëndë në tru, e cila ndikoi ndjeshëm në shëndetin dhe aktivitetin e tij artistik.
Në vitet e fundit ai u angazhua kryesisht në projekte zanore dhe pati më pak paraqitje publike. Në vitin 2025, gjatë promovimit të kujtimeve të tij “Vagabond”, Curry tregoi se ende nuk kishte mundur të ecte pas goditjes.


