Meta ka rënë dakord të paguajë deri në 16.68 miliardë dollarë për të zgjidhur pretendimet e ngritura nga dhjetëra shtete amerikane, sipas të cilave platformat e saj sociale kanë dëmtuar fëmijët.
Çështja, e konsideruar si gjyqi më i madh i këtij lloji, e akuzonte kompaninë se kishte projektuar me vetëdije dhe qëllimisht funksionalitete që krijojnë varësi te fëmijët, përfshirë në Facebook dhe Instagram.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Meta ka mohuar çdo shkelje, por ka pranuar marrëveshjen për zgjidhjen e çështjes.
Përveç pagesës, kompania ka rënë dakord të bëjë ndryshime të rëndësishme në Facebook dhe Instagram. Mes masave të reja parashikohen kufizime ditore të përdorimit dhe kufizim i përdorimit gjatë orëve të natës për fëmijët.
Meta do të forcojë gjithashtu masat për të parandaluar aksesin e fëmijëve në përmbajtje të kufizuar sipas moshës.
Marrëveshja zgjidh pretendimet e ngritura nga 29 shtete amerikane dhe i jep fund një procesi gjyqësor federal që është cilësuar si një nga testet më të rëndësishme për përgjegjësinë e kompanive të rrjeteve sociale ndaj përdoruesve të mitur.
Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve.
“Do t’i bëjë rrjetet sociale më pak të rrezikshme për fëmijët tanë dhe do të sjellë një ndryshim të madh për fëmijët dhe familjet e tyre”, u shpreh Bonta.


