Ka humbur jetën në burgun e Fierit në rrethana të paqarta i dënuari Ardjan Malasi. Paraprakisht dyshohet se i dënuari i datëlindjes 1968, ka ndërruar jetë per shkak të hemoragjisë cerebrale ose çarjes së aortës. Megjithate do të jetë ekzaminimi që do të kryhet nga IML ajo që do të përcaktojë shkakun.
Ky i fundit mbahej nën arrest që prej 26 tetorit 2023, teksa GJKKO e ka dënuar me 8-vite burg, për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e bashkepunimit të veçantë, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i Strukturuar kriminal’.
Vendimi ka marre formë të prerë më datë 01.06.2026. Malasit i kishin mbetur për të kryer edhe 3 vite burg.
Kujtojmë që SPAK dergoi për gjykim dosjen për ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi e dënuar gjithashtu me 7 vite burg, dy vëllezërit e dënuar për drogë Besjan e Leonard Ramaj dhe biznesmenin Ardjan Malasi, të akuzuar për pastrim parash.
Sipas dosjes hetimore, Dashi kishte arritur të ndihmonte në pastrimin e 1.2 mln euro pasuri të vëllezërve të saj, në bashkëpunim me biznesmenin në fjalë përmes akteve të shitjeve fiktive për qëllime të justifikimit të burimit të ligjshëm. Kjo veprimtari kriminale rezulton të ketë vazhduar nga viti 2010 e në vijim deri në vitin 2023.


