TIRANË- Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC News, komentoi takimet e kryeministrit Edi Rama në Pogradec dhe deklaratat e tij.
Sipas analistit, kryeministri Rama duket se e ndjen se në mandatin e katërt ka shumë për të bërë dhe për të korrigjuar. Ai theksoi se kryeministri nuk përballet me probleme sa i përket numrave politikë, por duket se është nën një trysni për të ndryshuar diçka në prioritetet e qeverisjes dhe në mënyrën se si drejton njerëzit që ka në administratë.
Ai vlerësoi se Shqipëria ndodhet përballë pritshmërive të mëdha në sektorin e turizmit, ndërsa raporti me Bashkimin Europian është njëkohësisht joshës dhe sfidues për vendin. Sipas tij, kërkesat që vijnë nga Brukseli kërkojnë një shtysë të re në qeverisje.
Në këtë kontekst, Minxhozi tha se Rama duket se po përpiqet të krijojë një kanal më të drejtpërdrejtë komunikimi me qytetarët, duke menduar se reagimi i shpejtë ndaj problemeve të tyre mund të sjellë impakt.
Megjithatë, analisti theksoi se më e rëndësishme do të ishte që kjo qasje të shoqërohej me reforma konkrete.
“Rama ndjen se në punët e mandatit të 4 ka shumë për të bërë , shumë për të korrigjuar dhe për herë të parë do të thoja se ndjen jo thjesht një vals emrash, në këtë moment ku ndodhet Shqipëria me pritshmëri të mëdha në sektorin e turizmit. Me një raport me BE që sa është joshës është edhe sfidues për përmasat dhe ajo që na kërkohet nga Brukseli. Është një situatë që kërkon një shtysë dhe do thoja që Rama e gjen këtë shtysë te krijimi i një kanali më të drejtpërdrejtë. Por mesa duket Rama thotë dhe mendon se të qenit i shpejtë dhe komunikues me hallet e njerëzve mund të jepte impakt. Por do thoja që do ishte më mirë drejt reformave. Por të shohim se çfarë kryeministri mendon të bëjë nga shtatori e tutje”, tha ai.
Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte hendeku që, sipas tij, është krijuar mes shtetit dhe qytetarit.
Ai argumentoi se Rama sot nuk ka probleme me mbështetjen numerike, por ndodhet përballë nevojës për të vepruar dhe për të ndryshuar disa prej prioriteteve të qeverisjes. Sipas tij, kryeministri e ka rikthyer në vëmendje konceptin e “Shqipërisë sociale”, por kjo qasje, sipas analistit, është zbehur gjatë viteve të qeverisjes.
Analisti Minxhozi theksoi se aspekti social duhet të jetë ndër prioritetet kryesore të qeverisë, me synimin për ta bërë vendin më të pranueshëm dhe më të jetueshëm për qytetarët.
“Mes shtetit dhe qytetari është krijuar një hendek. Është një hendek që krijohet në mënyrë fiziologjike sa herë që qëndrin gjatë në pushtet. Rama sot nuk ka probleme numrash, por duket që është në një trysni për të vepruar dhe për të ndryshuar diçka edhe në ngrehinën e prioriteteve apo dhe njerëzve që drejton. Rama e vuri theksin te Shqipëria sociale, unë mendoj që në 13 është larguar disi nga qeverisja sociale. Shqipëria sociale është me shumë një klithmë që vjen nga poshtë nga baza, nga publiku që ndjehet keq për një shpërfillje që ai e percepton të shtetit ndaj tij. Dhe mendoj që nuk ka gjë më urgjente se të trajtohet aspekti social, për t’ja bërë këtë vend më të pranueshëm banorëve të tij.”, shtoi më tej ai.
/abcnews.al/


