Bashkimi Europian duket se po përgatitet për një valë të re zgjerimi, ndërsa nga Kroacia komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, paralajmëroi një “Moment Helsinki” të dytë për Europën, duke iu referuar samitit të vitit 1999 që i hapi rrugë procesit të anëtarësimit të vendeve të ish-bllokut komunist.
Për analistin Frrok Çupi, ky është një sinjal i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht për Shqipërinë, e cila, sipas tij, ndodhet tashmë në “sprintin e fundit” drejt anëtarësimit në BE.
Çupi thekson se krahasimi me Helsinkin e viteve ’90 lidhet me gatishmërinë e vetë Europës për të pritur vendet kandidate, në një kohë kur Shqipëria dhe Mali i Zi po afrohen gjithnjë e më shumë me anëtarësimin.
“Është një lexim shumë optimist. Është një gjë krejt e re. Është një gjë jo vetëm brohoritëse. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, pothuajse është bërë realitet, por kur ne ngjitemi në lartësi Shqipërisë fillojnë i krijohen probleme si pjesë e Perëndimi.
Probleme nga jashtë, por edhe nga brenda. Pse krahasohet sot Ballkani Perëndimor me situatën e Helsinkit të atyre viteve, sepse është e njëjta psikologji e BE. Shqipëria do të jetë anëtare e BE.
BE është në situatën që po e peshon, sepse është në një moment kur Shqipëria dhe Mali i Zi vërtet po bëhen gati që të hyjnë në BE, por dhe kjo e fundit po bëhet gati që t’i presë. Vetë Europa ndodhet në situata të tjera. Kjo e bën akoma më me peshë fjalën e komisioneres Marta Kos, ajo garanton vendet kandidate se Europa është e përgatitur për to. Shqipëria ndodhet në sprintin e fundit”, tha Çupi.


