Ngjarja e ndodhur ditën e sotme në Delvinë rezulton të jetë një konflikt i mbartur prej një jave.
6 ditë më parë, në lagjen nr. 4 të Sarandës, në rrugën “Mitat Hoxha”, 45-vjeçari Xhike Hita, për motive banale, është konfliktuar dhe ka goditur me sende të forta e thikë nipat e 47-vjeçarit Lekan Tozo.
Konflikti është zhvilluar rreth mesditës së 14 gushtit, ndërkohë që policia shoqëroi palët në Komisariat dhe vendosi ndjekjen e autorit në gjendje të lirë. Pas mjekimit të marrë, edhe të dëmtuarit lanë spitalin.
Por 6 ditë më pas, konflikti duket se është zhvendosur në Delvinë, ku Lekan Tozo është përballur me 45-vjeçarin Xhike Hita, edhe ky me origjinë nga Delvina. Ata kanë nisur të konfliktohen për shkak të plagosjes që Hita i kishte bërë nipave të Tozos.
Gjatë përleshjes fizike mësohet se janë përdorur edhe armë të ftohta, të cilat kanë rezultuar në plagosjen e lehtë të Hitës.
Ndërkohë, policia e Sarandës ka shoqëruar edhe disa persona të tjerë, familjarë të Tozos dhe Hitës, pasi janë konfliktuar verbalisht pak minuta më parë në lagjen nr. 4 të Sarandës.


