Piku i sezonit veror vjen dhe me fluks të shtuar të automjeteve që lëvizin në rrugët e vendit, kryesisht në ato që të çojnë në Jug.
Këto ditë raportohet rëndesë trafiku në segmentet Fier-Levan, por edhe në akset dalëse si Fier-Patos dhe Mbrostar-Fier, ku ka lëvizje të shtuar automjetesh në rrugë.
Numrit të automjeteve që udhëtojnë drejt Jugut i shtohet edhe ai i emigrantëve që janë kthyer për pushime. Trafiku në segmentet kryesore vjen edhe pasi një pjesë e udhëtarëve nuk njohin rrugët alternative, përdorimi i të cilave do të reduktonte trafikun.
Aksi Fier-Patos, që lidh Beratin, Roskovecin, Ballshin dhe Patosin me Fierin, mund të shmanget nëpërmjet rrugës së fshatrave Zharrëz-Sheqishte. Një pjesë e mirë e udhëtarëve dhe drejtuesve të mjeteve nuk i njohin rrugët, ndërsa të tjerët zgjedhin distancën e shkurtër. Për këtë të fundit, sikundër shprehen, presin 1 orë në trafik për një distancë prej 5 km.
Krahasuar me këtë periudhë në vitet e shkuara, trafiku pas datës 15 gusht lehtësohej, por këtë verë ka ndodhur ndryshe dhe gjasat janë që të vazhdojë deri në shtator. Të dhënat nga Drejtoria e Transportit Rrugor tregojnë se në këtë periudhë, numri i automjeteve që qarkullojnë në rrugët e Fierit është trefishuar.


