Kush tha që puna e gazetarit sportiv është më e lehtë se ajo e kolegëve të tjerë që mbulojnë fusha të tjera.
Për këtë mund të flasë më shumë gazetari sportiv turk, Burhan Can Terzi, i cili u prangos dhe kaloi disa orë në komisariat vetëm se publikoi një lajm nga ata të merkatos së verës, që qarkullojnë të shumtë këtë periudhë dhe që shpeshherë janë vetëm sugjestione.
Ai u akuzua dhe u ndalua për përhapjen e informacioneve çorientuese lidhur me një marrëveshje të supozuar të Galatasaray me yllin e Bayern Munich dhe Gjermanisë, Jamal Musiala.
Mediat turke raportojnë se ai dha një deklaratë në selinë e policisë së Stambollit, më pas u dërgua në gjykatë, e cila urdhëroi lirimin e tij.
Galatasaray i hodhi poshtë dy herë pretendimet e Terzi, ndërsa ky i fundit këmbënguli se raportimi i tij ishte i saktë.
Klubi e akuzoi atë për përpjekje për të çorientuar opinionin publik dhe për shtrembërim të qasjes së tyre ndaj transferimeve.
Zyra e Prokurorit Kryesor të Bakirkoy nisi një hetim lidhur me veprën penale të publikimit të informacionit mashtrues. Kjo ngjarje shkaktoi shqetësim dhe reagime në qarqet e futbollit dhe më së shumti në ato të medias në Turqi./abcnews.al


