Vera nënkupton diell dhe plazh, dhe me diellin duhet mbrojtja. Ekspozimi ndaj diellit dhe mbrojtja e lëkurës duhet të jenë në vëmendjen e qytetarëve jo vetëm gjatë muajve të verës, por gjatë gjithë vitit. Dermatologia Brunilda Bardhi apelon për përdorimin e rregullt të kremit mbrojtës dhe kontrollin e vazhdueshëm të lëkurës.
Sipas dermatologes, dëmtimi nga dielli ndodh gradualisht dhe mbrojtja duhet të jetë një rutinë e përditshme.
Bardhi nënvizon gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes që në moshë të hershme, duke theksuar se një pjesë e madhe e dëmeve të shkaktuara nga dielli akumulohet që nga fëmijëria.
“Diellin e kemi mik në mëngjes dhe pasdite, gjithmonë duhet mbrojtje 30-50 UVB ose UVA. Ka një koncept të gabuar, marrin SPF 100, por kremi i diellit duhet aplikuar çdo dy orë, 20 min përpara ekspozimit, sepse parandalimi është më mirë se kurimi. Dëmtimi i diellit është çdo ditë në mënyrë graduale, ne themi duhet të përdoret çdo ditë të vitit kremi, 20 minuta para. Pasi 80 për qind e dëmeve nga dielli ndodh nga fëmijëria deri në moshën 20 vjeç.
Jemi të fokusuar që të ndërgjegjësojmë njerëzit të kontrollojnë lëkurën, nishanet, sepse dielli është një nga faktorët e jashtëm për ndryshimin e nishaneve dhe daljen e një nishani të ri. Çdo djegie është prekursor për kancer lëkure, nuk ka nxirje të shëndetshme, pasi një akumulim, ndër vite, sjell probleme.”


