Të paktën 12 persona kanë humbur jetën në Filipine, ndërsa më shumë se 752 mijë të tjerë janë prekur nga moti ekstrem i shkaktuar nga kombinimi i musonit të intensifikuar jugperëndimor dhe cikloneve tropikale “Louis” dhe “Maymay”, njoftoi Zyra Filipinase e Mbrojtjes Civile (OCD).
Sipas autoriteteve, të paktën tetë persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve dhe rrëzimit të pemëve të shkaktuara nga reshjet e dendura dhe erërat e forta.
Katër persona të tjerë vdiqën pas një rrëshqitjeje dheu në zonën e Sitio Riverside, në ishullin Luzon.
Situata e rënduar atmosferike ka detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre. Rreth 34,400 persona janë strehuar në 412 qendra evakuimi në zona të ndryshme të vendit, ndërsa rreth 300 banesa janë raportuar të dëmtuara nga përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe erërat e forta.
Autoritetet filipinase vijojnë të monitorojnë situatën dhe të koordinojnë operacionet e emergjencës, ndërsa reshjet dhe kushtet e paqëndrueshme atmosferike vazhdojnë të paraqesin rrezik për komunitetet e prekura.


