Zhytës italianë kanë zbuluar një anije të lashtë romake të mbytur në brigjet e Siçilisë, e cila besohet të jetë më shumë se 2,000 vjet e vjetër. Anija u gjet e mbushur me qindra enë të ruajtura në gjendje të mirë, të cilat përdorëshin për transportin e produkteve si vera dhe vaji i ullirit.
Ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli, e cilësoi zbulimin si “një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike nënujore të viteve të fundit”. Zhytës specialistë të policisë e gjetën anijen në një thellësi prej rreth 46 metrash, pas një informacioni të dhënë nga peshkatarët.
Sipas raportimeve të mediave lokale, rrënojat e anijes janë rreth 21 metra të gjata dhe 6 metra të gjera. Ministria e Kulturës vlerëson se anija daton në shekullin II ose I para Krishtit.Peshkatari dhe zhytësi amator Giacomo De Mola tregoi se si hasi në anijen historike teksa po eksploronte fundin e detit pranë Mazara del Vallo. Ai shkroi në rrjetet sociale se kishte vendosur të zhytej për të hetuar pasi në skanerin e tij kishte parë diçka që dukej si një shkëmb i madh.

“U afrova. Dhe zemra m’u ndal. Nuk ishte shkëmb”, shkroi ai. Në vend të tij, ai pa qindra amfora – enë të larta prej qeramike që përdorëshin në lashtësi për ruajtjen dhe transportin e mallrave, kryesisht verës, vajit dhe drithërave. “Ky është, pa asnjë dyshim, zbulimi më i jashtëzakonshëm i jetës sime”, tha De Mola. “Është e vështirë të përshkruash atë që ndjen kur je ndër njerëzit e parë, pas gati 20 shekujsh, që e sheh përsëri atë vend.”
Ai publikoi edhe një video të rrënojave të anijes, ku shihen ngjala, peshq snapper dhe “një numër i panumërt gjallesash detare” që jetojnë mes amforave. “Deti nuk pushon kurrë së na mahnituri.Këtë herë nuk gjetëm vetëm një anije të mbytur, por një pjesë të historisë sonë”, shkroi ai.
Në vendngjarje u dërguan zhytës specialistë nga njësia e policisë italiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, e njohur si Njësia e Karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Autoritetet kanë bërë të ditur se do të merren masa sigurie për mbrojtjen e rrënojave ndërsa vijojnë hetimet. Ekspertët do të përpiqen të përcaktojnë më shumë detaje mbi anijen dhe të zbulojnë se çfarë lloj ngarkese transportonte.
Fundi i detit në Mesdhe mendohet të jetë i pasur me rrënoja të tjera të ngjashme të anijeve të lashta. Një tjetër anije që daton në shekullin I ose II para Krishtit u zbulua në veriperëndim të Romës në vitin 2023. Edhe ajo ishte e mbushur me qindra amfora./abcnews.al


