Kryeministri Edi Rama ka shprehur mirënjohjen për efektivët e Forcës Ajrore, Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe trupat speciale të ushtrisë dhe policisë, për angazhimin në përballimin e zjarreve në Krujë dhe zonat përreth.
Përmes një reagimi, Rama vlerëson punën e forcave që, sipas tij, mbrojtën jetën e banorëve të Krujës dhe luftuan pa ndërprerje me flakët gjatë ditëve të fundit.
“Mirënjohje dhe respekt i thellë për pilotët e Forcës Ajrore, efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si edhe trupave speciale të ushtrisë dhe policisë, që mbrojtën mes flakëve jetët e banorëve të Krujës”, shkruan Rama.
Kryeministri bën me dije se aktualisht vetëm një vatër e izoluar në majën e Malit të Krujës vijon të mbetet aktive, ndërsa situata në zonat e tjera është nën kontroll.
Rama ka ndarë gjithashtu mesazhin e një banori me origjinë nga Kruja, i cili jeton prej 30 vitesh në Belgjikë dhe ka falënderuar qeverinë dhe strukturat e emergjencave për ndërhyrjen gjatë zjarrit
Në mesazhin e tij, qytetari vlerëson veçanërisht ndërhyrjen ajrore dhe punën e zjarrfikësve të Krujës, duke e cilësuar situatën si një zjarr të paprecedentë për qytetin.
Forcat zjarrfikëse, ushtria dhe policia vijojnë monitorimin e zonave të prekura, ndërsa ndërhyrja do të vazhdojë deri në eliminimin e plotë të vatrës së mbetur aktive.


