Lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar këtë të shtunë, 8 gusht 2026, në lagjen numër 14 të qytetit të Korçës ka rrëfyer momentet tronditëse pas ngjarjes, një dëshmitare, e cila banonte në pallatin ku ndodhi ngjarja.
Ajo tregon se ndodhej në banesë me nënën e saj kur dëgjoi një zhurmë të fortë. Fillimisht mendoi se dikush mund të kishte rënë në shkallë dhe doli për të parë se çfarë kishte ndodhur.
“Unë isha brenda në shtëpi. Për një moment dëgjova një zhurmë të madhe, sikur plasi diçka. I thashë mamit se do dal të shikoj çfarë po bëhet. Thashë mos ra ndonjë njeri nga shkallët, që t’i ndihmoja”, rrëfeu ajo.
Ajo tregon se sapo doli nga banesa, dëgjoi një grua që kërkonte ndihmë dhe njoftimin e Policisë e ambulancës, teksa rrëfen dhe momentin kur e pa të riun të shtrirë përtokë.
“Ajo gruaja e katit të tretë, te dera e saj ishte bërë ngjarja, thërriste me të madhe: ‘Aman, të lutem, lajmëroni policinë, ambulancën’. Ngjitem me vrap dhe shikoj një njeri të shtrirë përtokë, barkas. Pashë djalin aty, njeri dy metra, djalë të shtrirë poshtë, të gjakosur. Pastaj i rridhte gjaku nga koka. Ishte tmerr”, rrëfen më tej gruaja.


