Në kuadër të misionit ambicioz Tianwen-3, Kina ka nisur përgatitjet për ndërtimin e një laboratori të avancuar të mbrojtjes planetare, i cili do të jetë pjesë e Qytetit të Shkencës Hapësinore në Hefei, në provincën Anhui. Objekti do të ketë një rol kyç në trajtimin e mostrave që pritet të mblidhen nga Marsi, duke garantuar njëkohësisht sigurinë e materialeve të sjella në Tokë dhe mbrojtjen e mjedisit tokësor. Në laborator do të kryhen procese si sterilizimi, hapja dhe analizimi i mostrave, si edhe vlerësimi i çdo rreziku të mundshëm biologjik.
Sipas planit të prezantuar nga Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës, anija e misionit Tianwen-3 synohet të lëshohet rreth vitit 2028, ndërsa kthimi i mostrave në Tokë parashikohet të realizohet në vitin 2031. Drejtori i departamentit të planifikimit të zhvillimit në Laboratorin e Eksplorimit të Hapësirës së Thellë, Li Hang, bëri të ditur se laboratori do të mbështesë studimet shkencore mbi materialet jashtëtokësore dhe do të funksionojë në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes planetare.
Qëllimi është të shmanget çdo ndotje biologjike, si e Marsit nga mikroorganizmat e Tokës, ashtu edhe e Tokës nga çdo element i panjohur që mund të gjendet në mostrat marsiane. Ky projekt është pjesë e strategjisë afatgjatë të Kinës për eksplorimin e hapësirës. Vendi ka shënuar tashmë një sukses të rëndësishëm në vitin 2021 me uljen e roverit Zhurong në Mars, i cili gjatë misionit të tij përshkoi mbi 1.9 kilometra dhe mblodhi një sasi të konsiderueshme të dhënash shkencore mbi Planetin e Kuq. / abcnews.al /


