Më në fund erdhi dita e lamtumirës. Tre vite tek Rubin i Kazanjit mbaruan për Mirlind Dakun, dhe sulmuesi shqiptar bëri ndarjen me skuadrën dhe të gjithë punonjësit e klubit.
Kjo, në ditët kur Spartak i Moskës e zyrtarizoi si futbollist të vetin.
Ylli kuqezi shkoi në kompleksin stërvitor, ku skuadra do të kryente seancën stërvitore, tashmë pa të, dhe i takoi të gjithë me radhë.
Më pas mbajti një fjalim të shkurtër, si gjithmonë në anglisht, gjuhë në të cilën ndihet më i sigurt sesa në rusisht.
Daku deklaroi se ishte I lumtur për kohën tek Rubini, iu uroi më të mirat shokëve, dhe iu tha se do t’i ndihmonte sa herë të ishte e nevojshme.
“Ju e dini numrin tim”, ishin fjalët e tij.
Në përfundim, ai bëri sfilatën mes dy rreshtave të lojtarëve të Rubinit, të rreshtuar pikërisht për t’u ndarë siç ndodh në futboll.
Aty erdhi ndarja e fundit me shokët dhe me trajnerin Artiga, me të cilin doli edhe në fotografi.
Nuk mbaroi me aq.
Daku shkoi në ambientet e brendshme të klubit dhe u përshëndosh me magazinierët, punonjëset e lavanderisë dhe me gratë e kuzhinës.
Më pas, mori fanelën e tij me numrin 10 dhe ua dha ta firmosnin sa më shumë personave që gjeti.
Mes tyre edhe Nazmi Gripshi, lojtari nga Shqipëria që ka kaluar tek Rubini, apo edhe Shabanhaxhaj e Hoxha.
Qershia mbi tortë ishte takimi me kapitenin Igor Vujaçiç.
Mbrojtësi malazez ka qenë shok dhome me shqiptarin për 3 vjet, dhe u ndanë si vëllezër.
Me kaq, epoka Rubin përfundoi dhe Mirlin Daku u nis drejt stacionit tjetër të karrierës, Spartakut të Moskës./abcnews.al



