Punimet e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës u ndërprenë, pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kërkuar kohë shtesë për arritjen e marrëveshjes politike për emrin e një kandidati për president.
“Kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans bisedimeve politike për marrëveshje për president a presidente të re”, ka thënë ai.
Ai ka falënderuar liderin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku për takimet e mbajtura.
“Ato bisedime u pezulluan për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK. Rifillimi i bisedimeve u bë vetëm në këtë javë. Ne duam bisedime edhe me PDK-në edhe me AAK-në, ndonëse refuzimi i tyre është i qartë”, tha ai.
Kurti ka theksuar se konstituimi i institucioneve nuk duhet të përfundojë me shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Konstituimi kësaj radhe nuk mund të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhje të parakohshme e të paarsyeshme, të dëmshme për ekonominë. Andaj, i nderuari kryesues Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans marrëveshjeve për president apo presidente të re”, ka thënë Kurti.
Ai ka uruar 120 deputetët për betimin e mandatit të ri.


