Një shpërthim i fuqishëm polar ka përfshirë Zelandën e Re, duke sjellë reshje dëbore edhe në zonat me lartësi të ulëta, çka ka shkaktuar mbylljen e rrugëve, shkollave dhe ndërprerjen e shërbimeve të trageteve.
Sipas New Zealand Herald, dëbora ka rënë në disa pjesë të Ishullit Jugor, ndërsa sistemi i motit të ftohtë ka përfshirë të gjithë vendin.
Policia u ka bërë thirrje banorëve të qytetit Dunedin të shmangin udhëtimet, përveç rasteve kur janë të domosdoshme, për shkak të dëborës dhe ngricës në rrugë. Autoritetet kanë lëshuar gjithashtu paralajmërime për reshje dëbore në disa akse kryesore rrugore.
Moti i ashpër ka ndikuar edhe në procesin mësimor. Të gjitha shkollat fillore, të mesme dhe kopshtet në zonat Dunedin, Mosgiel, Port Chalmers dhe Waikouaiti janë mbyllur për ditën e sotme. Po ashtu, është mbyllur edhe shkolla e mesme “East Otago” në Palmerston.
Kushtet atmosferike janë përkeqësuar edhe në Ngushticën e Kukut, që ndan Ishullin Verior nga ai Jugor. Erërat e forta kanë detyruar kompanitë e trageteve të anulojnë udhëtimet.
Kompania “Interislander” ka anuluar katër lundrime mes Wellingtonit dhe Pictonit, ndërsa “Bluebridge” ka pezulluar të gjashtë kalimet e planifikuara për sot, si dhe dy shërbime të parashikuara për mëngjesin e së mërkurës.
Shërbimi meteorologjik “MetService” ka lëshuar një paralajmërim për dallgë të mëdha në bregdetin Wairarapa, në jug të Ngawit, ku parashikohen valë deri në 6 metra deri në orët e para të së mërkurës.


