Himarë – Një incident me armë zjarri është raportuar mbrëmjen e sotme në zonën detare përballë Palasës, ku dyshohet se nga një jaht janë qëlluar të shtëna në ajër.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 21:00, Policia është njoftuar për ngjarjen dhe menjëherë ka angazhuar shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, të cilat janë vënë në ndjekje të mjetit lundrues.
Paralelisht, janë njoftuar edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe të Stacionit të Policisë Dhërmi, të cilat po kryejnë kontrolle nga toka përgjatë vijës bregdetare.
Policia bën me dije se operacioni për lokalizimin dhe ndalimin e jahtit vijon, me qëllim verifikimin e plotë të informacionit dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.


