Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se ka anuluar planet për sulme ushtarake ndaj Iranit, me kusht që të arrihet “me shpejtësi” një marrëveshje me Teheranin. Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se Irani dhe disa vende të Lindjes së Mesme i kanë kërkuar Uashingtonit të përmbahet nga një sulm, pasi sipas tij janë dakordësuar parametrat e një marrëveshjeje që do të përfshinte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian.
Deklarata e presidentit amerikan vjen pasi mediat amerikane raportuan se Uashingtoni po shqyrtonte mundësinë e një fushate të re intensive bombardimesh ndaj objektivave të infrastrukturës energjetike në Iran, e cila do të ishte ndër më të ashpërat deri më tani. Sipas CBS News, plani u diskutua gjatë mbledhjes së kabinetit të Trump të premten.
Në të njëjtin postim, Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara ishin “plotësisht të gatshme” për të goditur Republikën Islamike të Iranit me një forcë ushtarake që, sipas tij, nuk ishte parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai shtoi se vendimi për të pezulluar sulmet është marrë “në të mirë të së ardhmes së botës dhe të mbijetesës së një Irani të suksesshëm dhe të begatë”.
Më herët gjatë së shtunës, Teherani akuzoi Uashingtonin për përshkallëzim të tensioneve, duke paralajmëruar se çdo shtet i rajonit që do të bashkëpunojë me SHBA-në do të “përfshihet nga flakët e luftës”. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që ndodhen në Lindjen e Mesme të tregojnë kujdes të shtuar dhe të jenë të përgatitur për t’u larguar në rast të përkeqësimit të situatës së sigurisë. Autoritetet paralajmëruan gjithashtu për anulime të mundshme fluturimesh, mbyllje të përkohshme të hapësirës ajrore dhe ndërprerje të udhëtimeve.
Sipas burimeve të cituara nga CBS News, SHBA-ja dhe Izraeli kishin planifikuar një seri bombardimesh ndaj objekteve energjetike iraniane. Ndërkohë, Axios dhe media te tjera nderkombetare raportuan se Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, zhvilloi një bisedë telefonike me Trump, gjatë së cilës shprehu shqetësim për pasojat që mund të sillnin sulmet e mundshme.
Përplasjet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë përshkallëzuar ne javet e fundit pas thyerjes se memorandumit te mirekuptimit I cili parashikonte nje armepushim 60 ditor. Sulmet mes paleve kane sjell bllokim te rrugeve detare per tregetine energjitike duke sjelle rritje te ndjeshme te cmimeve te naftes ne bursat nderkombetare.


