Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Izraeli është “shumë i kënaqur” me marrëveshjen e arritur për çarmatimin e organizatës palestineze Hamas në Rripin e Gazës.
Duke folur para gazetarëve në resortin presidencial Camp David, Trump tha se marrëveshja është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet izraelite.
“Ne kemi një marrëveshje me Izraelin. Izraeli është shumë i kënaqur. Izraeli na ka ndihmuar dhe ka qenë shumë bashkëpunues në këtë drejtim”, u shpreh presidenti amerikan.
Trump e cilësoi marrëveshjen me Hamasin si “një hap të madh për Lindjen e Mesme”, duke lënë të kuptohet se ajo mund të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe forcimin e përpjekjeve për stabilitet në rajon.
Deri më tani, nuk janë bërë publike detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e marrëveshjes apo mënyrën se si do të zbatohet procesi i çarmatimit të Hamasit.


