Njerëzit modernë mbartin material gjenetik të trashëguar nga dy popullata të lashta njerëzore të panjohura më parë, sipas një studimi të ri që ofron prova të mëtejshme për ndërthurjen e gjerë mes popullatave gjatë evolucionit njerëzor.
Në studimin e publikuar në revistën “Science”, studiuesit në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley zhvilluan një teknikë kompjuterike të quajtur TRACE për të rindërtuar marrëdhëniet gjenealogjike të lashta duke përdorur qindra gjenome të njerëzve të sotëm, pa pasur nevojë për ADN të nxjerrë nga fosilet.
Studimi identifikoi një linjë “fantazmë”, e cila duket se është ndërthurur me njerëzit modernë në Afrikë më shumë se 50 mijë vjet më parë, përpara migrimit të fundit të madh të “Homo sapiens” jashtë kontinentit.
Anëtarët e kësaj linje u ndanë nga paraardhësit e njerëzve modernë rreth 800 mijë vjet më parë. ADN-ja e tyre përbën tani afërsisht 0,5 deri në 1 për qind të gjenomit të çdo njeriu modern dhe është zbuluar si te popullatat afrikane, ashtu edhe te ato joafrikane.
“Ne arritëm të gjenim dhe të hartëzonim vendndodhjet gjenomike te njerëzit modernë që vijnë nga kjo linjë ‘fantazmë’ dhe të tregonim se kjo trashëgimi gjenetike gjendet te të gjithë njerëzit modernë, jo vetëm te afrikanët”, tha studiuesi Yulin Zhang.
Ekipi gjeti gjithashtu prova për një linjë shumë më të vjetër “super-arkaike”, që rrjedh nga një popullatë e ndarë nga paraardhësit e tjerë të njerëzimit rreth 1,8 milion vjet më parë.
Ky grup ka të ngjarë të jetë ndërthurur me denisovanët në Euroazi më shumë se 200 mijë vjet më parë. Një pjesë e materialit të tij gjenetik iu transmetua më vonë njerëzve modernë, kur denisovanët u ndërthurën me “Homo sapiens”.
Studiuesit thanë se identiteti i këtyre dy popullatave mbetet ende i panjohur, megjithëse periudhat e tyre të vlerësuara përkojnë me grupet Homo Pleistocenit të Mesëm në Afrikë dhe me “Homo erectus” në Euroazi.
Sipas studiueses së UC Berkeley, Priya Moorjani, gjetjet sugjerojnë se evolucioni njerëzor i ngjante më shumë një rrjeti kompleks migrimesh dhe ndërthurjesh sesa një peme të thjeshtë degëzimesh.


