Pas qeverisë, vizion i ri edhe në PS. Dokumenti “Besa” do të shoqërohet nga një aneks me emrin “Prania Besnike”, manuali i lidershipit socialist për qasjen e re pranë dhe me qytetarët.
Aneksi u zbulua nga kryesocialisti Edi Rama, i cili në një takim me drejtuesit politikë të qarqeve renditi edhe komponentët kryesorë të sjelljes së re.
“Ky për PS duhet të jetë mandati i kthesës strategjike ndaj njerëzve. Nga prania elektorale tek prania njerëzore.
- Dëgjimi, disiplina e re e PS-së, në çdo stinë, edhe kur s’ka fushatë, edhe kur s’ka kamera, edhe kur s’ka rreth e rrotull simpatizantë.
Empatia nuk është dobësi. Njeriu që të hap derën e hallit të vet, të ka dhënë diçka shumë të çmuar, të ka dhënë besimin për diçka të tijën personale, të ka lënë dinjitetin. Halli nuk është monedhë për kurs këmbimi.
- Mospërgjigjja duhet shpallur e ndaluar në PS.
- Përkushtimi ndaj transformimit me forcën e shembullit individual. Nis nga ne këtu, nga grupi parlamentar, ose nuk shkon më tutje; nis nga qeveria, ose s’merr besueshmëri si kthesë e gjithë PS-së.”, tha kryeministri.
Por ky reflektim i PS-së shërben edhe si një paralajmërim për ata që kritikën e brendshme e përdorin për të sulmuar nga jashtë partinë.
“Kritika e brendshme mirëpritet dhe kultivohet si ushqim i vetëdijes së skuadrës, familjes politike, por ka një rrugë të ndershme. Brenda nesh flitet hapur, por para qytetarëve ajo bëhet vetëkritikë në emër dhe interes të skuadrës. Jo konstatim publik i një spektatori që shfrytëzon dhe ia lë skuadrës kodoshin në derë. Kjo s’është prani besnike, por hileqare.”, u shpreh Rama.
Rama pranoi se edhe ky reflektim në PS vjen nga protesta e flamingove, ndërsa shpjegoi arsyen e vetme pse vijon të qëndrojë në pushtet edhe në këtë mandat të katërt.
“Kjo nuk është beteja e PS-së për pushtet. Të ishte për 3 mandatet e para, pas 12 vitesh do të kisha ikur në katundin tim dhe do e mbyllja këtë detyrë me bindjen se misioni është përmbushur. Por tani kemi një mision kombëtar, anëtarësimin në BE. Nuk e lë këtë detyrë derisa të ngulim flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Evropës së Bashkuar.”, tha Rama.
Për kryesocialistin Rama, “Prania Besnike” është vetë ekzistenca e PS-së. Ai paralajmëroi se nga kjo sjellje e re do të ndahet nëse PS-ja do të ndryshket në pushtet për të dalë një ditë nga skena politike, apo për të reflektuar sot që të vijojë të jetë për një kohë të gjatë në majën e politikës shqiptare.


