Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës në Kosovë, në periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999, mes tyre 1.047 fëmijë të moshës 0 deri në 17 vjeç.
Prishtina zyrtare i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që t’i bëjë trysni Serbisë që të hapë arkivat e ushtrisë.
Lista e publikur është preliminare dhe do të përditësohet vazhdimisht, duke i kërkuar qytetarëve dhe organizatave që mund të kenë dëshmi për krime të bashkëpunojnë me institutin.
Sipas raportit, 81.3 për qind e të gjitha viktimave të dokumentuara, janë regjistruar në muajt mars dhe qershor të vitit 1999. Në këtë periudhë, përkatësisht u vranë 9.948 njerëz.
Krimet e luftës në Kosovë janë ende një plagë e hapur për shkak të trupave ende të pagjetur.


