Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, deklaroi se synimi i Italisë është ta shndërrojë rajonin Adriatiko-Jonian në një nyje kyçe ekonomike, logjistike dhe energjetike ndërmjet Evropës dhe Mesdheut.
Deklaratat u bënë gjatë aktivitetit të Presidencës italiane të Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian.
“Ne synojmë ta bëjmë rajonin Adriatiko-Jonian – bizneset dhe territoret e tij – gjithnjë e më dinamik, si një motor të rritjes ekonomike dhe një nyje kyçe ekonomike, logjistike dhe energjetike ndërmjet Evropës dhe Mesdheut më të gjerë.”, ka thënë ai.
Vizioni është të nxitet ribashkimi i Ballkanit me Evropën.
“Gjatë Presidencës sonë do të forcojmë angazhimin tonë për riintegrimin e Ballkanit në historinë evropiane, i cili është një përparësi strategjike absolute për qeverinë dhe për mua personalisht. Italia është gjithashtu në vijën e parë të mbështetjes për zhvillimin e Korridorit VIII.”, u shpreh Tajani.
Tajani e cilësoi këtë si investimin strategjik më të madh që Evropa mund të bëjë, ndërsa theksoi se viti 2026 do të jetë vendimtar për realizimin e këtij objektivi.
Ndërkohë, Shqipëria ka shënuar një nga përmirësimet më të mëdha në rajon në Indeksin Evropian të Gatishmërisë 2025, duke ngushtuar ndjeshëm diferencën me Malin e Zi, vendin që kryeson procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Për 4 vite, Shqipëria është ngjitur nga 5.1 pikë në vitin 2021 në 6.7 pikë në vitin 2025 dhe tani renditet vetëm 0.1 pikë pas Malit të Zi, i cili vlerësohet me 6.8 pikë.
Në Indeksin e Besimit dhe Stabilitetit, vendi ynë vlerësohet me 8.5 pikë, kundrejt 6.1 pikëve të Malit të Zi. Ky rezultat tregon një mjedis më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm për investitorët.
Shqipëria kryeson gjithashtu në treguesin e Atraktivitetit dhe Integrimit në Treg, me 9 pikë, një pikë më shumë se Mali i Zi. Indeksi vlerëson potencialin e ekonomisë për t’u integruar në tregun e përbashkët evropian dhe për të tërhequr investime.
Edhe në treguesin që mat zhvillimet më të fundit, Shqipëria renditet përpara me 6.4 pikë, kundrejt 6 pikëve të Malit të Zi.
Këto rezultate tregojnë se Shqipëria po afrohet me ritme të shpejta, e mbështetur nga një klimë më e favorshme ekonomike, stabilitet më i lartë dhe një atraktivitet më i madh për investimet.



