Kontrollin shëndetësor bazë, nga muaji shtator, ta kryejë pa pagesë çdo person mbi 35 vjeç.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i ka propozuar qeverisë heqjen e kufirit të sipërm moshor për check-up-in.
Qëllimi, sipas ministres Sala, është që, ndryshe nga aktualisht, nga programi kombëtar të përfitojnë edhe moshat mbi 70 vjeç.
“Kemi propozuar pranë Këshillit të Ministrave heqjen e kufizimit të sipërm të moshës për kryerjen e Check-Up falas. Deri më sot, shërbimi ofrohej për grupmoshën 35-70 vjeç. Çdo qytetar mbi 35 vjeç, pavarësisht moshës, do të mund ta kryejë Check-Up falas. Kjo do të thotë se edhe qytetarët 70, 80 apo 90 vjeç do të kenë të njëjtën mundësi për të kryer kontrollet parandaluese, sepse kujdesi për shëndetin nuk ka kufi moshe”, tha ministrja Sala.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ishte në Pogradec, ku në një bisedë me të moshuarit në qendrën sociale ditore prezantoi disa nisma për këtë moshë.
Po punohet për ngritjen, për herë të parë, të shërbimit të geriatrisë, fillimisht në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, dhe linjës së parë të këshillimit për të moshuarit.
“Për herë të parë po krijojmë një linjë të dedikuar këshillimi për të moshuarit, ku ata do të mund të marrin informacion, orientim dhe mbështetje për çdo shërbim shëndetësor apo social për të cilin kanë nevojë. Synimi ynë është që asnjë i moshuar të mos mbetet pa informacion dhe pa akses në shërbimet publike”, shtoi më tej ministrja.
Përmes këtyre nismave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, tha Sala, synon të ndërtojë një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj kujdesit për të moshuarit, duke kombinuar parandalimin, shërbimet e specializuara dhe mbështetjen sociale.



