Franca ka nisur zbatimin e testimeve të detyrueshme dhe të paparalajmëruara për përdorimin e drogës në administratën shtetërore, ndërsa punonjësit e parë të ministrive janë larguar nga detyra pasi rezultuan pozitivë në testime.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, konfirmoi në një intervistë për revistën Paris Match se vendimi është marrë kryesisht për arsye sigurie, duke theksuar se shumë prej zyrtarëve të testuar kanë qasje në informacione tepër të ndjeshme.
“Shumë thonë se e bëra këtë për të dhënë një shembull në Francë. Kjo është e vërtetë. Por mbi të gjitha e bëra për arsye sigurie”, u shpreh Lecornu.
Në mesin e muajit qershor, kryeministri u dërgoi ministrive një qarkore me të cilën urdhëroi kryerjen e testeve të detyrueshme të pështymës për zbulimin e përdorimit të drogave. Sipas mediave franceze, kontrollet përfshijnë anëtarët e ministrive, zyrtarët e lartë shtetërorë dhe personelin që i nënshtrohet verifikimeve të sigurisë.
Qarkorja parashikon që, në rast të rezultateve pozitive, institucionet përgjegjëse të shqyrtojnë masat e nevojshme, përfshirë edhe procedurat disiplinore ose largimin nga detyra.
Vendimi ka nxitur debat në Francë, por qeveria këmbëngul se masa synon të garantojë sigurinë kombëtare dhe integritetin e administratës publike.



