Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt seanca e rradhës ndaj vëllezërve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit dhe Igor Dimoviqit, të akuzuar për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”.
Në këtë seanca dëshmoi Ernest Kërçeli, dëshmitar dhe përfaqësues i palës së dëmtuar dhe drejtor i Infrastrukturës në “Ibër-Lepenc”.
Ai ka thënë se dëmi si pasojë e sulmit ishte 370 mijë euro.
Prokuroria Speciale i akuzon që të tre të pandehurit për armëmbajtje pa leje, ndërsa dy vëllezërit Viqentijeviq edhe për veprat penale të “prishjes së rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, “kryerjes së veprës terroriste” dhe “spiunazhit”.
Më 9 dhjetor të vitit të shkuar, Prokuroria Speciale njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj tre të pandehurve për shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor të 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, komunë kjo në veri të Kosovës që është e banuar kryesisht me serbë.
Sipas akzuës Jovan Viqentijeviq i ka thënë prokurorisë se është trajnuar në poligonin e ushtrisë serbe bashkë me rreth 120 persona të tjerë, në periudhën midis 14 e 23 shtatorit të 2023-tës.
Gjatë kësaj periudhe kohore, bazuar në akuzën për sulmin terrorist në Banjskë, të ndërmarrë nga serbë të armatosur dhe të uniformuar, të njejtat stërvitje në poligonin “Pasulanske Livade” i ka kryer edhe grupi i Milan Radoiçiqit.
Jovan Viqentijeviqi i ka thënë prokurorisë se në Kosovë ka qenë e planifikuar të ndërmerej edhe një sulm tjetër në tetor të vitit të shkuar, por ai është anuluar me urdhër të Radoiçiç.
Sipas asaj që Viqentijeviqi ia ka thënë Prokurorisë, për këtë sulm pritej përfundimi i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe fitorja e Donald Trumpit, për të cilin sipas rrëfimit të të akuzuarit Radoiçiqi e ka mbështetur fushatën elektorale të Trumpit me 30 milionë dollarë, nëpërmjet lobit serb në SHBA.



