Zjarret masive që kanë përfshirë Francën dhe Spanjën kanë detyruar më shumë se 160 mijë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre që nga mesi i javës.
Situata mbetet kritike, ndërsa autoritetet franceze kanë nisur evakuimin e shtatë komunave të tjera pranë qytetit të Bordosë, për shkak të një zjarri të cilësuar si “i paprecedentë”.
Në Spanjë, autoritetet po përballen me një zjarr pranë Madridit që është përshkruar si “i pamundur për t’u shuar”.
Prefektja e departamentit Gironde, Sophie Brocas, deklaroi se përhapja e vazhdueshme e flakëve, pavarësisht angazhimit të madh të forcave të emergjencës, ka bërë të domosdoshme evakuimin e banorëve për të garantuar sigurinë e tyre.
Vetëm në Francën jugperëndimore, zjarret kanë shkaktuar deri tani rreth 141 mijë evakuime. Prej tyre, rreth 110 mijë persona janë larguar nga departamenti Gironde, ndërsa 31 mijë të tjerë nga departamenti fqinj Landes.
Autoritetet urdhëruan gjithashtu evakuimin e plotë të gadishullit turistik Cap-Ferret, pranë Bordosë, ku banorët dhe turistët u larguan si me rrugë tokësore ashtu edhe me anije.
Rreth 3 500 persona të evakuuar nga zona e Gjirit të Arcachon dhe komunat përreth janë strehuar në qendrën e ekspozitave në Bordo, e cila është shndërruar në një qendër pritjeje emergjente.
Shumë familje janë larguar me nxitim, duke marrë me vete edhe kafshët shtëpiake.



