E tregoi veten që në turin e parë.
Malisheva është tashmë një realitet I futbollit jo vetëm në Kosovë, por edhe në Europë, dhe tani është shumë pranë kualifikimit për në raundin e tretë të Ligës së Konferencës.
Edhe pse klubi është themeluar vetëm në 2016, pra 10 vjet më parë, sërish kjo nuk I pengoi aspak djemtë e trajnerit Tomas Brdariç që të shkëlqenin.
Ish-trajneri i Vllaznisë ishte në stol në fitoren 2-0 ndaj Hibernianit të Skocisë, ndeshje e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, sepse impianti “Liman Gegaj” në Malishevë nuk I plotëson standardet e kërkuara nga UEFA.
Fitorja e madhe për një ekip të tillë u arrit me golat e shënuar nga Kreshnik Uka në 21’ dhe Valmir Nafiu fare në fund, në minutën e 90-të.
Një raund më parë, Malisheva eliminoi pikërisht Vllazninë duke e mundur 5-0 në Kosovë pas humbjes në Shkodër me shifrat 2-1.
Hiberniani ndërkaq I pati disa momente të mira dhe mund ta kishte shënuar të paktën një gol, por nuk ia doli.
Kjo do të thotë se skuadra nga Kosova ka shanse të mira që të pretendojë raundin e tretë të Ligës së Konferencës në ndeshjen e dytë që do të luhet në Skoci në 30 korrik.


