“Besa-Besë” është formula që Edi Rama zgjodhi për të shpallur kthesën e mandatit të katërt.
Me vizionin “Rilindja 2.0”, kryeministri tha se protesta e “flamingove” ishte një pasqyrë për qeverinë dhe kërkoi një mënyrë të re komunikimi me qytetarët, duke pranuar se besimi është cenuar nga përvoja e tyre me administratën.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe qeveria u mbledh këtë të premte, ndërsa Kryeministri Edi Rama nisi fjalën e tij duke prezantuar dy dokumente strategjike që, sipas tij, do të shërbejnë si udhërrëfyes për mandatin e katërt të qeverisjes.
Rama u shpreh se dokumentet janë rezultat i një reflektimi personal dhe mbeten të hapura për diskutim dhe përmirësim.
“Kam sjellë sot me vete dhe dy dokumente. Janë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar, ndryshuar që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre,” deklaroi ai.
Sipas kryeministrit, dokumenti i parë përmban strategjinë për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në qeverisje, ndërsa dokumenti i dytë është një aneks që përcakton mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë këtë proces.
“I pari është dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në qeverisje. I dyti është një aneks sesi PS duhet ta mbështesë kthesën e mandatit të katërt”, tha Rama.
Fjalimi i kryeministrit Edi Rama zgjati prej më shumë se 1 orë në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar socialist dhe ministrave të kabinetit qeveritar.
“ABC News” sjell zhvillimet hap pas hapi;
12:22- Rama: Përgjigja ime për “Flamingot”/ Kryeministri: Protesta, matësi i arritjeve
Në Pallatin e Brigadave po zhvillohet mbledhja e përbashkët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe qeverisë, ku kryeministri Edi Rama ka nisur fjalën e tij me një reflektim mbi marrëdhënien mes qeverisjes dhe qytetarëve.
Rama tregoi një episod që, sipas tij, i kishte ndodhur një kryetari bashkie socialist, i cili ishte ankuar për reagimin e qytetarëve ndaj investimeve të kryera në zonën e tij.
Sipas Ramës, ky është një mendim që mund t’i ketë kaluar në mendje secilit prej drejtuesve socialistë gjatë ushtrimit të detyrës.
Kryeministri theksoi se ky perceptim duhet të ndryshojë, pasi sipas tij qytetarët nuk duhen parë si mosmirënjohës, por si tregues të standardeve të reja që duhet të arrijë qeverisja.
“Po e nis me një episod që mund ta keni dëgjuar qëlloi në një nga ditët e qershorit që një kryetar bashkie shok i yni më erdhi shumë i acaruar me një grup qytetarësh që i kishin dalë në protestë për një problem diku në periferi. I kam gjetur në llum tha, nuk kishin rrugë, trotuare, e gropa. I bëra me rrugë me drita, me pemë, u bëra kopsht u vura edhe stola, janë mosmirënjohës. Ai shok dhe koleg jemi ne të gjithë. Se secili prej nesh e ka menduar qoftë edhe njëherë atë fjalë të keqe kur i ka ardhur shpirti në majë të hundës më marrëdhënie me punën. Ka menduar që janë mosmirënjohës. Kjo fjalë është pikënisja e perspektivës së re që na duhet. Në përmbajtjen e saj gjendet kuptimi më i gabuar i fazës së re ku ka hyrë Shqipëria. Atyre që dolën në bulevard gjatë qershorit dhe atyre që kanë protestuar në heshtje e me zë, kudo, jo vetëm 6 qershorit por qysh pas zgjedhjeve. Ju nuk jeni mosmirënjohës, por matës i ri i standardeve tona”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste tha se qeverisja duhet t’u përgjigjet pritshmërive të reja të qytetarëve dhe jo vetëm të mbështetet te arritjet e deritanishme.
Sipas Ramës, në Shqipërinë e transformuar ndër vite, qytetarët nuk jetojnë më me kënaqësinë për atë që është bërë, por me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësitë e qeverisë për t’iu përgjigjur.
Ai tha se në “bulevardin e flamingove” kishte parë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre.
“Zvërneci tregoi se shqiptarët ecin më shpejt se qeveria.Mësimi i parë që duhet të ndaj me ju është që faktet tona nuk mjaftojnë më sepse në Shqipërinë që ne transformuam rrënjësisht njerëzit nuk jetojnë me kënaqësinë e gjërave që ndodhin apo që ndërtohen. Kur prisnin me besim që pas rrugës, shkollës, lulishtes që u ndërtua në lagjen tjetër, t’i vinte radha së tyres. Ata jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësia jonë për t’u përgjigjur.
Ata e përjetojnë me tension mes asaj që shohin dhe dëgjojnë dhe asaj që kanë, herë si burim pikëpyetjesh për çfarë po bëhet me vendin dhe shpeshherë me pasiguri për jetesën e tyre për një ekonomi që rritet shpejt bashkë me koston. Nuk mjafton më ta qeverisim të tashmen me investime, por në harmoni me përvojën e përditshme të qytetarit të sotëm sepse zemrat dhe mendjet e shqiptarëve nuk janë më ku ishin deri dje dhe s’kanë fare më lidhje me statistikat ekonomike, sado pozitive qofshin. Ato janë ankoruar mu te pritshmëritë e tyre.
Prandaj dhe bulevardi i flamingove duhet parë jo si protestë, por pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara duke na sfiduar të shohim vetveten dhe të verifikojmë seriozisht nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për ta qeverisur Shqipërië e kësaj faze të re që në radhë të parë dhe me doemos duhet ta kuptojmë ne të parët. Unë pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Epoka e mbyllur është epoka e mungesave.
Në epokën e mungesave, shoqëritë vuajnë përgjatë rrugëve pa rrugë dhe gëzohen si fëmija një dhurate. Toleranca ndaj gjërave që mungojnë është shumë e madhe. Epoka e hapur është epoka e pritshmërive ku rruga e re është standard, jo fitore. Shkolla e re është borxh që kthehet me vonesë. Çdo shërbim merret i mirëqenë dhe asnjë mungesë nuk tolerohet. Shoqëria as nuk e çon më nëpër mend nëse ka edhe më keq. Deviza e kësaj epoke është ka edhe më mirë”, tha Rama.
12:36- Rama: Vramë frikën e drejtësisë/ Kryeministri: Punët e qeverisë, detyrim dhe jo dhuratë
Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministër, Edi Rama, gjatë takimit të zgjeruar të Grupit Parlamentar Socialist, u ndal te rezultatet e reformës në drejtësi dhe sfidat e qeverisjes në mandatin e katërt.
Rama tha se momenti më i rrezikshëm për një qeveri është kur ajo ka nisur të ndryshojë realitetin, duke theksuar se ndryshimet e realizuara gjatë viteve të fundit janë të shumta.
“Çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen kur ajo ka nisur të ndryshojë gjërat dhe shembujt e ndryshimit që kemi sjellë janë të panumërt,” u shpreh kryeministri.
Duke folur për reformën në drejtësi, Rama deklaroi se ajo ka ndryshuar rrënjësisht raportin e shtetit me pandëshkueshmërinë.
“Asnjë nuk ishte hetuar më parë dhe korrupsioni ishte pranuar. Më kujtohet se kur njerëzit mbështesnin reformën në drejtësi, prapëseprapë pyetjes nëse besonin se do të shihnin zyrtarë të lartë para drejtësisë i përgjigjeshin ‘jo’. Reforma jonë në drejtësi e ngriti drejtësinë në nivele që nuk imagjinoheshin. Pandëshkueshmëria ra,” deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu se puna e qeverisë nuk duhet parë si favor ndaj qytetarëve, por si një detyrim ndaj tyre, duke nënvizuar se institucionet duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre sipas standardeve që kërkon shoqëria.
Çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen kur ajo ka nisur të ndryshojë gjërat dhe shembujt e ndryshimit që kemi sjellë janë të panumërt. Asnjë nuk ishte hetuar më parë dhe korrupsioni ishte pranuar. Më kujtohet se kur njerëzit mbështesnin reformën në drejtësi, prapëseprapë pyetjes nëse besonin se do shihnin zyrtarë të lartë para drejtësisë i përgjigjeshin jo. Reforma jonë në drejtësi e ngriti në nivele që nuk imagjinoheshin,. Pandëshkueshmëria, ra”, tha kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit të zgjeruar të Grupit Parlamentar Socialist, tha se shumica qeverisëse duhet të reflektojë mbi pritshmëritë e reja të qytetarëve, duke theksuar se arritjet e deritanishme nuk mjaftojnë më nëse përvoja e qytetarëve me shërbimet publike mbetet problematike.
Rama u shpreh se, edhe pse sot 95% e shërbimeve publike në Shqipëri ofrohen online përmes telefonit celular, qytetarët nuk janë më të gatshëm të tolerojnë mangësitë që hasin në shërbimet e përditshme.
Për të ilustruar këtë, ai solli shembullin e një gruaje 80-vjeçare, e cila, sipas tij, protestoi për shkak të vështirësive në marrjen e shërbimit në poliklinikë.
“Nuk e di a dëgjuat rastin e një gjysheje 80-vjeçare. Edhe ajo doli në protestë, jo për Zvërnecin, por sepse sa herë i duhej të vizitohej në poliklinikë, ngrihej pa zbardhur dita për të zënë radhën, pasi mjeku shkonte vonë dhe ajo priste 2-3 orë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se investimet në infrastrukturën shëndetësore dhe shërbimet publike nuk mjaftojnë nëse qytetarët vazhdojnë të përballen me probleme konkrete në përditshmëri.
“Sot 95% e shërbimeve publike në Shqipëri merren nga celulari, por ky fakt nuk mjafton më që njerëzit të tolerojnë më shërbime që ende çalojnë. Nuk e di a dëgjuat rastin e një gjyshe 80-vjeçare. Edhe ajo doli në protestë, jo për Zvërnecin, por doli sepse sa herë i duhej të vizitohej në poliklinikë, ngrihej pa zbardhur dita për të zënë radhën sepse mjeku shkonte vonë dhe rrinte 2-3 orë. Ne mund t’i tregojmë asaj gjysheje sa spitale kemi ndërtuar apo sa pajisje kemi blerë, por të gjitha këto apo punët e panumërta që kemi bërë, janë fakte. Por fakti i saj është përvoja e asaj radhës në Poliklinikë kur dielli s’ka dalë akoma. Dhe kur faktet tona përplasen me përvojën e gjyshes nuk mund t’i kërkojmë të ndryshojë përvoja. Duhet të ndryshojmë ne”, tha ai.
12:46- “Zvërneci, një projekt europian”, Rama: Do ta zgjidhë procesi i futjes në BE
Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deklaroi se gjatë dekadës së fundit Shqipëria ka pësuar një transformim të rëndësishëm në fushën e mbrojtjes së florës dhe faunës.
Rama u shpreh se qeveria ka zgjeruar kategoritë e mbrojtjes së natyrës dhe ka kaluar, sipas tij, nga një qasje sporadike në një sistem administrimi të biodiversitetit me rezultate të dukshme.
“Në një dekadë ne kemi bërë për florën dhe faunën e Shqipërisë një përmbysje historike të vizionit, qasjeve dhe administrimit, me rezultate të pamohueshme. Në këtë dekadë zgjeruam në mënyrë të ndjeshme, si asnjë vend tjetër në rajon, kategoritë e mbrojtjes dhe e kthyem mbrojtjen e natyrës nga një thirrje sporadike në një sistem administrimi.
Një parantezë këtu: ndryshimet e vitit 2024, le ta mbajë shënim kush e dëgjon, në atë ligj u përdorën papushim dhe vazhdojnë të përdoren si benzinë për zjarrin e protestës nga individë me agjendë politike, përfshirë edhe disa eurodeputetë, të cilët në rastin më të mirë nuk e kanë lexuar fare çfarë kemi ndryshuar, ndërsa në rastin më të keq kanë dashur të besojnë rolin e viktimave të imperializmit amerikan. E vërteta është se ato ndryshime janë bërë në përputhje me direktivën europiane.
Ka një proces në zbatim të procesit të negociatave, ku do të skanohen një për një me Komisionin Europian për ta përputhur krejt atë ligj 100% me direktivat e BE-së. Edhe ato ndryshime, ky konflikt i stisur, do të zgjidhen përfundimisht në rrugën e negociatave, ku nuk kalon asgjë pa miratimin e Komisionit.
Shqipëria, ku deri dje natyra dhe popullsia e specieve të saj ishin preja e pambrojtur e njeriut të lëshuar nga çdo zinxhir moral në raport me nënën natyrë, u bë vendi i një proteste popullore që mori si shkak një zog dhe një lagunë. Biodiversitetit i kemi kthyer përkushtimin, me rezultate aspak modeste”, tha Rama.
Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministër, Edi Rama, gjatë takimit të zgjeruar të Grupit Parlamentar Socialist, u ndal te pritshmëritë e reja të qytetarëve dhe nevoja për reflektim të shumicës qeverisëse pas një viti qeverisjeje.
Duke iu referuar asaj që e quajti “pasqyra e Bulevardit të Flamingove”, Rama tha se shqiptarët nuk e krahasojnë më vendin me të kaluarën e mungesave, por me standardet dhe mundësitë që duan të arrijnë.
Kryeministri deklaroi se Shqipëria ka kaluar nga një realitet i perceptuar negativisht në një destinacion më të dëshiruar, por sipas tij sfida e re është përballja me kërkesat më të larta të qytetarëve.
Rama theksoi se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë standarde më të larta dhe se kjo kërkon një qasje të re nga qeveria dhe Partia Socialiste.
“Bulevardi i Flamingove është prova se shqiptarët nuk e krahasojnë me Shqipërinë me vendin e mungesave, por me vendin e mundësive ku ata mezi presin të mbërrijnë. Ndaj nuk na vlerësojnë më për cfarë kemi ndryshuar. Janë të përqendruar të na gjykojnë se panë që nuk pranojnë dot që gjithçka ndryshoi të mbetet sic ishte. Ne e nxorëm Shqipërinë nga epoka e mungesave dhe përballemi me një popull që nuk na vlerëson më sa do donim ne, por na kërkon llogari më shumë se sa do donim ne për gjithçka duhet bërë. Një popull që tregon se sa lart duhet të jetë pa pritur kohën që duhet për t’u ngjitur me ne apo pa ne. Dhe ka të drejtë. Nëse nuk kupton se kjo e drejtë është më e madhe se sa PS apo se edhe vetë Edi Rama po deshe…Faktet janë dhe do mbeten aty, nga një realitet që bënte lajme vetëm për keq. Me një emër të përbuzur e shpërfillur ndërkombëtarisht në një destinacion të dëshiruar. Por kjo është histori, ne jemi aktualitet. Në pasqyrën e Bulevardit të flamingove, pashë një të vërtetë tronditëse që asnjë statistikë nuk e tregon, por që asnjë provë nuk e rrëzon. Ne lart kishim fakte, njerëzit poshtë kishin përjetime. Faktet tona thoshin se kishim me vete të vërtetën, por përjetimi i tyre ishte e gjitha e vërteta ishte në anën e tyre. Padiskutim që pati lajme të rreme e video të deformuara…Por asnjë prej tyre nuk ishin zemra e atij manifestimi spektakolar që e ktheu Bulevardin në hendek. Përgjigja nuk duhet kërkuar në pjesët e bashkëngjjitur të protestës, por duhet gjetur te pritshmëritë e rritura të njerëzve. Duam apo jo, njerëzit presin më shumë dhe bëhen me pak tolerantë, sidomos pas përvojave të hidhura me administratën që e derdhën kupën në Bulevard”, tha ai.
13:00 – “Emri i Trump, globalizoi Zvërnecin”, Rama: Pa atë lidhje, do ishte një çështje shqiptare
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e zgjeruar të Partisë Socialiste dhe qeverisë, u ndal edhe te protesta e lidhur me Zvërnecin dhe “Bulevardin e Flamingove”, duke analizuar ndikimin që pati ajo përtej kufijve të Shqipërisë.
Sipas kryeministrit, pamjet e protestuesve që përplaseshin me një gardh me tela me gjemba krijuan një simbolikë të fortë, ndërsa lidhja e projektit me familjen e Donald Trump ndikoi në rritjen e vëmendjes mediatike.
“Ajo protestë nuk mund të kuptohet pa rënë nën mbingarkesën e të dhënave digjitale mbi Bulevardin e Flamingove, i cili mblodhi dhe lëshoi një pafundësi sinjalesh në të gjithë anët e globit. Sepse Zvërneci nuk mbante vetëm peshën e një investimi të madh, të një lagune të ndjeshme, të pikëpyetjeve mbi procesin, të një vendimmarrjeje të debatueshme, të cilat krijuan një forcë magnetike mbi planetin Tokë pas viralitetit të një videoje, ku brishtësia e individëve që protestonin përplasej me gardhin e lartë me tela me gjemba, si të ishte një kufi i pakapërcyeshëm mes jetës së tyre dhe një rruge të madhe zhvillimi që e kishte flakur atë jashtë shtratit të saj.
Në Zvërnec qëndronte edhe hija e emrit më polarizues të politikës dhe medias botërore. Pikërisht në qendër të projektit ishte dhëndri dhe e bija e tij. Pa atë lidhje, protesta do të ishte, në rastin më të mirë, një çështje shqiptare, jashtë vëmendjes së botës, por falë kësaj lidhjeje ajo u shndërrua menjëherë në një ngjarje me jehonë globale.
Zvërneci dha videon revoltuese, flamingoja dha simbolin magjepsës, hija e vjehrrit më të famshëm në botë dha magnetin global, ndërsa algoritmi, i nxitur edhe nga ushtritë e ndërhyrjeve në punën e vendeve të tjera, bëri pjesën tjetër. Me një shkëndijë të ndezur pranë pyllit me pisha në Nartë, u shpërnda brenda pak orësh një zjarr marramendës anembanë botës.”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit të zgjeruar të Grupit Parlamentar Socialist, u ndal te përgjegjësia që sjell mbështetja e madhe elektorale dhe kërkoi reflektim nga shumica qeverisëse.
Rama tha se fitorja me 83 mandate në Kuvend është njëkohësisht një mbështetje e madhe, por edhe një përgjegjësi e lartë për Partinë Socialiste.
“Pas fitores së madhe që na dha 83 mandate e kam thënë në disa takime të brendshme me ju: ajo fitore sa është bekim, është edhe mallkim. Mallkim sepse pas besimit të madh, shqiptarët shohin tek ne shkakun e çdo gjëje që nuk shkon”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se shumica qeverisëse nuk duhet të ankohet për kritikat e qytetarëve, por duhet t’i pranojë ato si pjesë të përgjegjësisë që vjen nga besimi i marrë në zgjedhje.
Rama nënvizoi se sfida e re e shumicës qeverisëse është të ruajë lidhjen me qytetarët dhe të kuptojë pritshmëritë e tyre në një fazë të re të zhvillimit të vendit.
“Pas fitores së madhe që na dha 83 mandate e kam thënë në disa takime të brendshme me ju ajo fitore saç është bekim është edhe mallkim. Mallkim sepse pas besimit të madh, shqiptarët shohin tek ne shkakun e çdo gjëje që nuk shkon. Ne jo vetëm që nuk kemi të drejtë të ankohemi, por duhet të pranojmë edhe atë që dhemb edhe më shumë. Faktet tona shpesh edhe nuk dëgjohen sepse shpesh përjetohen si arrogancë. Sepse edhe kur jepen, jepen edhe pa empati. Një e vërtetë e thënë me arrogancë mund të humbasë përballë një gënjeshtre të thënë me empati”, tha Rama.
13:13- Rama: Protesta u ndot nga jargët dështake të Fanes dhe Berishës
Kryeministri Rama, në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së zgjeruar të Partisë Socialiste dhe qeverisë, përdori metaforën e “flamingove, sorrave dhe korbave” për të komentuar reagimet shoqërore dhe politike mbi protestën.
Rama u shpreh se flamingot nuk janë ata që japin gjithmonë të drejtën, por sipas tij, janë simbol i qytetarëve që i kujtojnë të drejtën për të kërkuar llogari ndaj qeverisë.
Rama theksoi se flamingot përfaqësojnë njerëzit e krijimtarisë, punës dhe dijes, të cilët kërkojnë më shumë nga vendi dhe një rol më të madh në zhvillimin e tij.
Ndërsa, sipas tij, “sorrat dhe korbat” simbolizojnë dështakët politikë dhe mediatikë.
“Flamingo nuk është se kush na jep të drejtë gjithnjë, por kushdo që na kujton të drejtën që ka për të na kërkuar llogari. Flamingot janë revolta e brendshme paqësore e qytetarit, sorrat janë balta e përbaltjes dhe sharlatanizmit.
Flamingot janë kërkesa legjitime e llogarisë qytetare, korbat janë zjarri i urrejtjes ekstremiste. Flamingot janë njerëzit e krijimtarisë, punës dhe dijes, që kërkojnë më shumë nga ky vend dhe më shumë vend në zhvillimin e këtij vendi. Sorrat dhe korbat janë dështakëzemrakët politikë dhe mediatikë. Kemi njohur nga këta se kemi kontribuar për atë tufë. Flamingot kërkojnë provën e empatisë sonë, korbat kërkojnë gjak nga çdo provë e punës dhe e mundit tonë”, tha Rama.
13:22- “Kthesa quhet ‘Besa’”/ Rama: Vendimet tona mos përjetohen si prerje në besë
Kryeministri Edi Rama në takimin e zgjeruar të Grupit Parlamentar Socialist tha se “Besa” do shihet si një nga shtyllat e reflektimit për mandatin e katërt të qeverisjes.
Rama tha se qytetarët që protestojnë nuk duhen parë si kundërshtarë, por si një tregues i problemeve që kërkojnë zgjidhje brenda administratës dhe qeverisjes.
“Flamingo mund të dalë në protestë dhe mund të jetë aleati ynë. Ndaj vija e re ndarëse kalon mes atyre që duan ta bëjnë Shqipërinë më të mirë edhe me ta”, u shpreh Rama.
Rama bëri të ditur se nga ky reflektim ka lindur dokumenti i titulluar “Besa”, i cili sipas tij synon të përcaktojë kthesën që duhet të marrë mandati i katërt.
“Flamingo mund të dalë në protestë dhe mund të jetë aleati ynë., Ndaj vija e re ndarëse kalon mes atyre që duan ta bëjnë Shqipërinë më të mirë edhe me ta. Për Arbërin fermerin e kthyer në flamingo, Shqipëria po i jepte të huajve atë që administrata shqiptare nuk dënjonte të ja thote të qartë.. Një djali Shqipërie që kërkonte në këtë vend të bënte punën edhe më të mirë. Ai nuk e mbante më veten, i kishte plasur shpirti dhe shkruante, “lek për ryshfet nuk kam dhe as nuk kam ndërmend, sepse edhe këto procese e dimë për çfarë bëhen. Kur fola me të u shpjegova për ndalimin dhe proceset…Por çedo, këto fakte ai i dëgjoi pas 3 vitesh dhe unë u ndjeva si ai që s’thuhet, kur ia shpjegoja. As morëm mundimin të ia shpjegojnë si duhet në 3 vite, madje krijun edhe idenë poshtëruese, se duhet të paguante edhe lek për një gjë që nuk bëhet. Por një njeri që jeton me tokën, një njeri që ka partner dhe ambicie që mban mënjanë 1.5 mln euro çdo shpjegim që mund t’i japësh pasi ka dalë në protestë tingëllon si arrogancë. Di që pasi fola me të, kërkova me zë pak më të lartë përse nuk i është dhënë përgjigje atij djali, përse duhet të presë 3 vite vetëm për të mësuar se kërkesa jote nuk bëhet??? Halli bëhet më poshtërues kur mbete as po, as jo. Pas disa orësh vjen një sms…Nga postimet e Arbrit në protestë, si për të më thënë që mos mërzitet shefi që ky tipi është kundër qeverisë….Dhe del jo problemi që kanë flamingot me ne, por problemi që kemi me veten. Arbri nga Lushnja nuk është problemi është prova dhe sprova që kemi me veten tonë. Dhe ky është një tjetër mësim shumë i shtrenjtë dhe nga ky lindi edhe dokumenti që kemi sot, dhe e kam titulluar “Besa”, e di se do hapë debat, por nuk gjeta fjalë tjetër me të duhet se çfarë kthese duhet për këtë mandat të katër. Që njerëzit të mos ndihen të prerë në besë dhe të mos ndjehen të papërfillur. Do ta merrni të gjithë me vete, për ta shkoqitur gjatë pushimeve”, tha Rama.
13:30- Rama shpall “Rilindjen 2.0”/ Kryeministri: T’u japim besën qytetarëve
Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e zgjeruar të Partisë Socialiste dhe qeverisë shpalli “Rilindjen 2.0”, një projekt që siç tha ai do jetë një përvojë e re në punë dhe shërbim ndaj qytetarëve.
Sipas kryeministrit, sfida e mandatit të katërt nuk është më transformimi i vendit, por kthimi i këtij transformimi në një realitet të qëndrueshëm, të besueshëm dhe të prekshëm për të gjithë qytetarët.
“Nuk kemi, miqtë e mi, asnjë luftë për të bërë me flamingot. Nuk kemi luftë me qytetarët. Tre mandatet e para i përgjigjen padiskutim dhe këtë e kemi me certifikatë, sepse këtë kanë vulosur shqiptarët. Pyetjes ‘nëse Shqipëria mund të ndryshonte’, përgjigjja është dhënë dhe është e pakthyeshme.
Mandati i katërt do t’i përgjigjet një pyetjeje më të vështirë: A mund të bëhet ky ndryshim i qëndrueshëm, i besueshëm dhe i të gjithëve? Dhe duhet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje me empati. Kjo është kthesa nga transformimi i vendit te besueshmëria e transformimit. Nga fjala e dhënë politikisht te fjala e kontrollueshme institucionalisht. Atyre njerëzve të bulevardit që mbushën bulevardin dua t’u them një fjalë të fundit: Ju kam dëgjuar!
Flamingot nuk i mban në lagunë as gardhi, as dekreti; i mban vetëm uji i qetë. Kur uji trazohet, ngrihen, ikin dhe kthehen vetëm kur e gjejnë ujin ashtu siç e duan. Kështu është besimi i një populli. Nuk vritet me një krismë, largohet kur uji trazohet dhe nuk kthehet me thirrje, por vetëm kur gjen ujin miqësor.
Puna e mandatit të katërt është një dhe e vetme: të mbledhim ngado, nga të gjitha burimet ujin e trazuar të besimit dhe ta bëjmë këtë me empati dhe flamingot do kthehen. “Rilindja 2.0” është emri që ne i vumë ciklit të ri politik, “Besa” është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët e Shqipërisë”, tha Rama/abcnews.al



