Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Braktisi Mjekësinë, u bë zëri i diplomacisë shqiptare! Rrëfimi i pazakontë i Ulpiana Lamajt

schedule12:20 - 22 Korrik, 2026

schedule 12:20 - 22 Korrik, 2026

Një ëndërr që nuk ishte e saja, një vendim i guximshëm dhe një rrugëtim që e çoi në qendrat më të rëndësishme të diplomacisë ndërkombëtare. Në studion e ABC e Mëngjesit, ekspertja e komunikimit dhe diplomatja Ulpiana Lamaj ndau historinë e jetës së saj, një histori të mbushur me sfida, kthesa dhe zgjedhje që ndryshuan gjithçka.

E lindur në Tiranë dhe e rritur mes Fierit dhe kryeqytetit, Lamaj tregon se familja dhe edukimi kanë qenë shtyllat që e kanë formuar. Edhe pse fillimisht nisi studimet për Mjekësi, për të përmbushur dëshirën e të atit, shumë shpejt kuptoi se ajo nuk ishte rruga e saj. Ankthi që i shkaktonte ambienti spitalor e bëri të dëgjonte zërin e brendshëm dhe të zgjidhte Sociologjinë dhe Filozofinë, një vendim që sot e konsideron ndër më të rëndësishmit në jetën e saj.

Dashuria për të kuptuar njerëzit e çoi drejt gazetarisë. Televizioni u bë shkolla e parë ku mësoi se komunikimi nuk është vetëm të flasësh, por mbi të gjitha të dëgjosh dhe të ndërtosh besim. Më pas punoi në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë krizës së refugjatëve të Kosovës, një periudhë që, sipas saj, i tregoi anën më humane të njerëzve.



Një fundjavë në Kosovën e sapodalë nga lufta në vitin 1999 ndryshoi rrjedhën e jetës së saj. Fillimisht shkoi për të vizituar vendlindjen e babait të ndjerë, Gjakovën, por emocionet dhe energjia e njerëzve e bindën të mos largohej më. Vendosi të qëndronte dhe të bëhej pjesë e historisë së shtetndërtimit të Kosovës.

Karriera e saj mori një tjetër dimension kur u transferua në Pragë si gazetare e Radio Evropa e Lirë, ku punoi në një mjedis ndërkombëtar dhe përvetësoi standardet më të larta të gazetarisë. Më pas vazhdoi studimet në Paris, u rikthye në Kosovë dhe kontribuoi në komunikimin qeveritar, duke punuar pranë figurave të rëndësishme të politikës dhe diplomacisë, mes tyre edhe ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari.

Lamaj provoi edhe politikën, duke kandiduar për deputete, por megjithëse mori një numër të konsiderueshëm votash, nuk arriti të hynte në Parlament. Ajo e konsideron këtë një përvojë të vlefshme, që i mësoi më shumë për njerëzit dhe për realitetin politik.

Pas një rikthimi në televizion, rruga e saj vazhdoi në diplomaci. Që prej vitit 2015 ka përfaqësuar Shqipërinë në Francë, në Azinë Juglindore dhe aktualisht shërben në Sarajevë, duke u fokusuar te zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Sot, Ulpiana Lamaj thotë se, edhe pse ka ndryshuar shumë profesione – gazetare, studiuese, politikane dhe diplomate – misioni i saj ka mbetur i njëjtë: të kuptojë njerëzit, të ndërtojë ura komunikimi dhe të krijojë mirëkuptim mes shoqërive. Për të, rrugët kanë qenë të ndryshme, por qëllimi ka mbetur gjithmonë i njëjtë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!